27 vjet nga Masakra e Belegut- në përkujtim e nderim për të gjithë të rënët për liri.
Teksa ec nëpër rrugën kryesore të fshatit, befas të shfaqen skenat e kobshme të marsit 1999. Njerëz të vrarë në pragun e shtëpive që po digjeshin, qielli i nxirë fut, piskama e ofshamë dhimbjeje e tmerri.
Gjersa e vazhdon ecjen deri tek vendi i krimit, ku ishin ekzekutuar 46 civilië shqiptarë, në sfond më shfaqej lokja Gjyke Vishaj, tashmë e ndjerë: Me zërin që po i dridhej nga dhimbja për nipin e zhdukur, lokja na e jep rrëfimin e saj shumë prekës: ”Qitu në shpi jemi kon plot katuneve Sllup, Hereq, Dranoc, kur kanë hy policia serbe n’dhomë. Na kanë bërtit: hajdi, hajdi dilni… Na kanë hi milicia mrena, na kanë rrethu me automata. Kom hi n’sob, iu kom thon japangjive: o delni krejt se na rrethun shkijet.” Lokja me vendosmëri kishte insistuar ta merrte nipin Fatonin: “Jom hi n’sob, e kom marrë djalin. Kur osht ardh milici tjetër, ja kom qit durt rreth qaf djalit, ai m’thojke:’Nanë, mos m’lsho.’ Ma morën djalin, iu thosha: mosni bre se i vogël osht. I ka pas vetëm 16 vjet. ”Natë e ditë nuk ka zaval ma t’madh se me ta marrë djalin prej dore e mos me pas çka me bo, me t’thon: ‘Oi nanë, mos m’lsho.” E rëndë kjo, e tmerrshme.
Rrugëtimi vazhdon duke ecur më tutje në shtëpinë ku u ekzekutuan Naim e Nezir Vishaj dhe Daut Aliçkaj, aty më shfaqet shoku im i gjeneratës, Geotrimi që atëbotë në marsin e vitit 1999, ishte veç 9 vjeç, kur para syve ia ekzekutuan babain- Naimin. Ai na rrëfeu kështu: “Më datë 29 mars 1999, në mëngjes, na kanë rrethuar shtëpinë menjëherë. Pas kësaj ka ardhë Daut Aliçkaj që kishte qenë i plagosur, duke na treguar që jemi të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Pastaj menjëherë kanë hyrë në mënyrë të dhunshme brenda shtëpisë ushtria çetnike serbe, duke bërtitur: kush është i zoti i shtëpisë, le të dal jashtë. Pas këtij urdhri, ka dalë axha im Nezir Vishaj. Me të dalur nga dera e shtëpisë, atë e qëlluan me plumb, duke e plagosur në pjesën e gojës. U shtri menjëherë për toke. Pas kësaj, nga shtëpia doli babi im Naimi, e që e morën serbet dhe e çuan në një si lloj shtëpie të vjetër brenda oborrit tonë. Aty kemi dëgjuar krisma dhe e morëm të sigurt se edhe ai u pushkatua. Në gjithë këtë tmerr të përjetuar, kukamat e fëmijëve dhe nënës loke, nuk kishin të ndalur… është thjeshtë ndonjëherë e pashpjegueshme”
Rrëfimet e dëshmitë tronditëse të të mbijetuarve depërtuan edhe në Gjykatën e Hagës nga profesori Mehmet Mazrekaj, i mbijetuar i tmerrit të Belegut- i cili ndër të tjera na shpalosë tablon e plotë të krimit të kryer nga forcat serbe në masakrën e Belegut: “Përjetimet e mia janë të tmerrshme për Masakrën e Belegut, kur na kanë ndarë burrat dhe gratë në shtëpinë e Cen Danit (vendi ku janë ekzekutuar të vrarët në Masakrën e Belegut), na kanë marrë, na kanë futë në podrum, duke na plaçkitur dhe na kanë rrahur. Mua personalisht më kanë mbështetur për muri, krejt tytat e blindave i kam pasur të drejtuara nga unë, madje iu kam lutur të më vrasin, pasi që nuk mundja t’i duroja kukamat e nxënësve të mi dhe të nënave. Atë natë na kanë mbajtur në atë shtëpi në katin ë dytë, ndërsa në katin e parë kanë qenë të vendosura forcat paramilitare serbe. Përjetimi im i tmerrshëm është i të rinjve që i kanë ndalur aty.”
Profesori thekson: “Nën udhëheqjen e kriminelit Vukmir Mirçiqi me pseodonimin ‘Vula’, këtë e kam cek edhe në Hagë, policia serbe kanë bërë gjërat më kriminale mbi popullin tonë aty. Mua traktori më ka shpëtuar: ‘hajde, mi grah’ m’kan thanë, ndërsa të rinjtë dhe burrat tjerë kanë mbetë, aty i kanë ndaluar dhe i kanë pushkatuar.
Këto janë disa prej rrëfimeve që janë rrëfyër e shkruar në dy librat e mi për Masakrën e Belegut, duke përfshirë edhe rrëfimin tim personal në vetën e parë si fëmijë 9 vjeçar.
Edhe pas 27 viteve dhembja e krenaria qëndrojnë pranë njëra- tjetrës, por është rënduese për familjet e të rënëve sidomos përvjetorët, ngase nga 46 të vrarët vetëm 12 janë identifikuar ndërsa 34 prej tyre mbesin ende të zhdukur.
Drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare i ka të faktuar tashmë me emra e mbiemra autorët e krimit, andaj së paku nga institucionet e Kosovës, presim ngritjen e aktakuzës për krimet e luftës (qoftë edhe gjykim në mungesë) sepse shteti serb për fatin e keq nuk i dorëzon kriminelët e vet.
Sot në këtë përvjetor nderojmë e kujtojmë përjetë të rënët në masakrën e Belegut.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!
Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!
Këto rrëfime mbesin përgjithmonë dëshmi e testament për kohën, se liria nuk dhurohet asaj i vjen aromë gjaku e njomë.
Të rënët në Masakrën e Belegut:
Në Masakrën e Belegut janë vrarë 46 civilë shqiptarë. Deri më tani, kur kanë kaluar 27 vjet nga momenti i këtij akti barbar i kryer nga forcat paramilitare serbe, janë të identifikuar këta persona:
• Shaqë (Curr) BINAKAJ
• Hysni (Curr) BINAKAJ
• Nezir (Ibish)VISHAJ
• Naim (Daut) VISHAJ
• Daut (Murat) ALIÇKAJ
• Gëzim (Selmon) VISHAJ
• Jetmir (Arif) MAZREKAJ
• Qazim (Osë) HULAJ
• Sadri (Adem) ZUKAJ
• Shefqet (Curr) BELEGU
• Shaban (Haxhi) KADRIAJ
• Ali (Haxhi) KADRIAJ
Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:
• Zymer (Miftar) BINAKAJ
• Brahim (Adem) ZUKAJ)
• Hamid (Dervish) ZUKAJ
• Rexhep (Lum) NEZIRAJ
• Faton (Hasan) VISHAJ
• Fatmir (Halil) VISHAJ
• Ramë (Shaban) KILAJ
• Sadri (Hajdar) VISHAJ
• Malë (Isuf) VISHAJ
• Zenel (Ukë) VISHAJ
• Hazir (Himë) ZUKAJ
• Shaban (Ramë) NITAJ
• Nekë (Halil) BINAKAJ
• Hajdar (Hamëz) MAZREKAJ
• Ali (Avdyl) MAZREKAJ
• Bashkim (Lush) HADERGJONAJ
• Afrim (Lush) HADERGJONAJ
• Xhevdet (Bajram) HADERGJONAJ
• Muhamet (Bajram) HADERGJONAJ
• Mehmet (Halil) TOLAJ
• Xhevat (Ukë) TOLAJ
• Misin (Hajdin) TOLAJ
• Arif (Haxhi) MAZREKAJ
• Isa (Tahir) TOLAJ
• Sahit (Bekë) MAZREKAJ
• Hasan (Sahit) MAZREKAJ
• Sundim (Sahit) MAZREKAJ
• Naim (Hysen) TOLAJ
• Ragip (Osmon) MORINA
• Beqir (Idriz) DERVISHAJ
• Tafë (Bekë) DINAJ
• Smajl (Ramë) UKËHAXHAJ
• Haxhi (Shaban) KADRIAJ
*Autori është i i mbijetuar i masakrës dhe autor i tre librave për luftën çlirimtare të viteve 1998-1999