×
Opinione

Tri opsione që e rrëzojnë Qeverinë

Reporteri
22 Maj 2019 | 13:56

Editorial i Reporteri.net


Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që para dy vjetësh ishin armiq të mëdhenj me njëri-tjetrin, janë mobilizuar këto ditë në një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë e Kosovës. Albin Kurti dhe Isa Mustafa kanë pirë kafe sot, e ku thanë se kanë diskutuar për rrugën që do të ndjekin deri të ajo ditë.


Ditë më parë, kur u bë e ditur kjo iniciativë edhe Partia Social Demokrate u tregua e gatshme të marrë pjesë në takime për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ani pse deri sot konsiderohet si ‘patericë e Qeverisë’, PSD-ja duket se do të tentojë të dalë në anën e kundërt.

Deri të ajo ditë, lë të analizojmë nja tri opsione se si mund të rrëzohet Qeveria:

1.            Lista Serbe

Nuk mund të mendohet një skenar i rrëzimit të Qeverisë vetëm nga opozita, pa Listën Serbe. Kjo të paktën nëse partitë shqiptare në koalicion i kanë deputetët unikë.

Nga kjo del se VV-LDK dhe PSD do të duhet të negociojnë edhe me Listën Serbe e cila ka muaj që ka dalë nga Qeveria, si protestë ndaj taksës për mallrat serbe. Nëse Lista Serbe dëshiron një hakmarrje të dytë ndaj koalicionit, pas dorëheqjeve edhe nga qeverisja në komunat veriore dhe mbajtjen e serishme të zgjedhjeve, atëherë qeveria mund të rrëzohet. Kjo bëhet duke pasur parasysh edhe nëse partitë opozitare shqiptare pranojnë të bashkëpunojnë me Listën Serbe.

Lista Serbe duhet ditur se vepron me direktiva të presidentit serb Aleksander Vucic.

2.            Partia Social Demokrate

Edhe nëse Lista Serbe pajtohet për ta rrëzuar Qeverinë, duhet parë nëse PSD e ka seriozisht pjesëmarrjen me votën pro në mocionin e mosbesimit. Në një vit të ekzistimit të saj, pas ndarjes nga Vetëvendosje, PSD-ja në të gjitha sondazhet del se nuk e kalon pragun zgjedhor prej 5 %, ani pse qeverisë me kryeqytetin dhe Kamenicën në skaj të Kosovës.

Nëse PSD-ja dëshiron të rrezikojë me fatin e saj, pra të dalë e vetme dhe të punojë e shpresojë ta kalojë pragun, atëherë votat për rrëzim të Qeverisë sigurohen. PSD mund të ketë edhe një opsion tjetër para vetës: të hyjë në një listë me LDK-në ose me ndonjë parti tjetër.

Shpend Ahmeti tha se nuk i bashkon votat me Listën Serbe, por ndonjë skenar udhës, mund ndoshta t’ia ndryshojë mendjen edhe atij.

 

3.            Ramush Haradinaj

Në një skenar kur për pak vota, opozita nuk mund ta ketë të sigurtë kalimin e mocionit, në skenë mund të dalë kryeministri Ramush Haradinaj.

Taksa dhe qëndrimi ndaj dialogut thuhet se e kanë rritur ndjeshëm partinë e Haradinajt. Thuhet se ajo sillet rreth 16 %, nga 10 sa kishte dikur.

Haradinaj mund të llogarisë së kurrë nuk do të ishte në një situatë më të mirë për ta faktorizuar vetën, që të marrë edhe një mandat për kryeministër. Në këtë frymë, mund të jetë në konsideratë një lëvizje e tij në anën e VV-së dhe LDK-së dhe PSD-së, për ta rrezuar veten edhe pa votat e Listës Serbe.

Me një rritje të tij në sondazhe, me një përafrim i tij me PSD-në, mund të sjellin një parafytyrim ndryshe të hartës politike në Kosovë, ku Haradinaj do të ishte një faktor tejet i rëndësishëm. Mos ta harrojmë faktin se ai tani ndjehet edhe më i fortë edhe me faktin se në zgjedhjet lokale të fundit fitoi një numër të madh të komunave.

***

Nëse do të ndodhnin njëri nga këto skenarë apo skenarë tjetër, gjithmonë duhet të kemi në mendje edhe FAKTORIN NDËRKOMBETAR. Se çfarë kanë në mendje ata, do të shihet me vonë.

Nëse ndodhë që sërish, këtë vit a po vitin tjetër të kemi zgjedhje të përgjithshme, kjo do të ishte një vazhdim i traditës që asnjë qeveri e pas pavarësisë nuk ka përfunduar mandatin e plotë të saj.

(Ky është qëndrim redaksional i Reporteri.net)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!