×
  • Prospect
  • Prospect

    Luftërat nuk fitohen me gjenialitet ushtarak e as me beteja vendimtare

    Reporteri
    05 Shtator 2022 | 23:17

    Autor: Cathal J Nolan 


    Lufta është ndërmarrja më komplekse, fizikisht dhe moralisht. Asnjë art ose muzikë madhështore, as katedrale ose tempull ose xhami, asnjë rrjet transportimi ndërkontinental e as përplasje grimcash atomike ose program hapësinor, asnjë studim për ilaç të ndonjë sëmundje vdekjeprurëse në masë, nuk merr nga ne as edhe një fraksion të burimeve dhe përpjekjeve që i kushtohet bërjes së luftës. Ose edhe as të rikuperimit nga luftërat dhe përgatitjet për luftëra të reja të investuara gjatë viteve, madje edhe dekadave, të paqes në tentativë. Lufta, në këtë mënyrë, është shumë më shumë se një grumbull tregimesh për beteja kyçe. Megjithatë, historia tradicionale ushtarake i ruan betejat si momente vendimtare ku perandoritë ngriten ose bien brenda dite, dhe shumica e njerëzve mendojnë se ashtu fitohen luftërat, në një orë të pasdites me gjak e kofshë. Ose mbase dy apo tri. Duhet të kuptojmë lojën më të thellë, e jo vetëm t’i shohim pikët. Kjo është e vështirë sepse betejat janë aq joshëse.

    Lufta ngrit fascinimin tonë me spektakël, dhe nuk ka skenë më të madhe ose lojtarë më të mëdhenj dramatik se sa në fushëbetejë. Ne tërhiqemi drejt një epshi në sytë tonë, të rrënqethur nga një trumpet që bie kur legjionarët romak avancojnë në armaturë shkëlqyese ose kur dora lëkundëse e mbretit i nis kalorësit e montuar drejt një sulmi të rëndë kalorësak. Betejat e mëdha janë teatër i hapur me një staf prej dhjetëra mijëra: samurai nën qift sinjalizues, mahutë të hipur mbi elefantë, një impi zulu që nxiton mbi bar të harlisur drejt një froni qitës me pallto të kuqe. Betejat hapen me ushtri të veshur në kuq, kaltër ose bardhë, flamuj që valviten, fijet dhe daullet që rrahin përpara. Ose me kanavacën e ndezur të një varg velash luftarake që shpërthejnë në breshëri të gjerë. Ose, një pykë tankesh që ngarkohen fuqishëm mbi stepën ruse. Ajo çfarë pason është më e vështirë të merret me mend.

    Ideja e “betejës vendimtare” si faktori përcaktues i luftës, dhe luftat si porta të historisë, flet më shumë për dëshirën tonë naive për ta parë luftën moderne në terme heroike. Historitë popullore shkruhen në këso stilesh tupanë-me-trumpet, me përshkrime prej më gjallëroreve të përleshjeve të divorcuara nga logjistika e ashpër, vuajtjet ditore, dhe një shikim kritik ndaj shoqërive dhe kulturave që i kanë prodhuar ato ushtri masive dhe dërguar në fusha të largëta për shkaqe të cilat ushtari mesatar s’ia kishte idenë.

    Mediat vizuale veçanërisht luajnë me atë se çfarë publiku dëshiron të shohë: guxim të zhveshur dhe ditë të kuqe, ekstazë të dhunës dhe spektakël. Kjo është bota e luftës si argëtim axhamish, te Inglorious Basterds e Quentin Tarantino (2009) ose Brad Pitt te Fury (2014). Nuk është bota e njëmendtë e nazistëve ose luftës së vërtetë.

    Betejat gjithashtu ndjellin gjeneralë dhe burrështetas me idenë se një ditë e rëndë e kuqe mund të jetë vendimtare, dhe na lejon të shmangim tretjen/gërryerjen [attrition, lexo si: veprimi ose procesi i reduktimit të fuqisë ose efektivitetit të dikujt ose diçkaje përmes sulmeve të qëndrueshme ose presionit], të cilën të gjithë e përbuzim si të moralisht vullgare dhe pa heroizëm shpengues. Ne kemi frikë të gjejmë vetëm pavendosmëri dhe tragjedi pa ngritje ose moral në baltën e llogoreve, ose thirrjet e të vdekurve që grumbullohen gjatë viteve të përpjekjeve dhe qëndrueshmërisë. Në vend të kësaj, betejat i ngrisim në samite heroizmi dhe gjeneralët në nivel gjenish që historia s’mund t’i mbështesë. Edhe pse disa historianë mund të provojnë të festojnë edhe disa ushtarake të dështuara si të lavdishme. Prusia është sakatosur, mirëpo Frederiku është më i madhi prej gjermanëve. Franca është mposhtur dhe një epokë emërohet në emër të Lluit të 16’të. Evropa është nën rrënoja, por gjeneralët gjermanë ishin gjenialë me Panzer.

    Se a pajtohemi ose jo që disa luftëra ishin të drejta dhe të nevojshme, duhet të shohim në realitetin e zymtë që fitorja më së shpeshti është arritur përmes atricionit dhe masakrimeve – jo nga heroizmi ushtarak ose urdhërave gjenialë. Të fitosh luftë është më e vështirë se aq. Cannae, Tours, Leuthen, Austerlitz, Tanenberg, Kharkov – të gjitha të kujtojnë imazhe të mprehta në një fjalë. Edhe pse fitorja e këtyre betejave nuk siguroi fitore të luftës. Hannibal fitoi në Cannae, Napoleoni në Austerlitz, Hitleri në Sedan dhe Kiev. Të gjithë në fund humbën katastrofikisht.

    Ka heroizëm në betejë por gjeni në luftë nuk ka. Beteja është tejet e ndërlikuar që gjeniu ta kontrollojë. Të thuash tjetër gjë është vetëm se idollatri e të qënit ulur në karrige, e divorcuar nga shpjegimi real i fitores dhe humbjes, që të dyja të cilat vinë nga përgatitjet afatgjate për luftë dhe të bërit luftë me resurse të thella natyrore, burokraci dhe qëndrueshmëri. Vetëm atëherë guximi dhe gjeneralët mund të kenë shans të triumfojnë në betejë, duke iu bashkuar peshës së fuqisë materiale të vullentit për të përballur humbjet e tmerrshme por megjithatë duke e fituar luftën. Pretendimet për gjeni na distancojnë nga kuptimësia e kompleksitetit marramendës të luftës dhe kontingjencës së saj, që janë të vërtetat më të mëdha të saj.

    Luftërat moderne fitohen nga bluarja, jo gjeniu. Thellësia strategjike dhe vendosmëria është gjithmonë më e rëndësishme se sa cilido komandant. Ne kemi parë këso thellësish dhe aftësisht ripërtrirëse në Rusinë Carise më 1812, në Francë dhe Britani në Luftën e Parë Botërore, në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sojvetik në Luftën e Dytë Botërore, por jo në Kartagjenë, e as në Gjermaninë Naziste të tejshtrirë ose Japoninë Imperiale. Aftësia për të përthithur humbjet fillestare dhe për të luftuar mbi çdo vendim të marrë ose betejë të zhvilluar nga Hannibal ose Scipio, Lee ose Grant, Manstein ose Montgomery. Po, edhe Napoleoni u ngrit si model i gjeniut të betejës nga Clausewitz dhe në teorinë ushtarake qysh atëherë, pavarësisht nga humbja e tij në Spanjë dhe në fatkeqësinë e fushatës së Armatës së Madhe në 1812 në Rusi. Waterloo nuk ishte momenti i humbjes së tij vendimtare, e cila erdhi një vit më parë. Ishte antiklimaksi i tij.

    Humbësit e shumicës së luftërave të mëdha në historinë moderne humbën sepse mbivlerësuan shkathtësinë operacionale dhe nuk arritën të kapërcenin thellësinë strategjike të armikut dhe aftësinë për qëndrueshmëri. Fituesit përthithën disfatë pas disfate, por vazhduan të luftonin, duke kapërcyer befasinë fillestare, pengesat e tmerrshme dhe nxitimin dhe guximin e komandantit “gjeni”. Festimi i gjeneralëve gjenialë inkurajon iluzionin se luftërat moderne do të jenë të shkurtra dhe do të fitohen shpejt, kur ato janë më së shpeshti luftëra të gjata atricioni. Shumica e njerëzve besojnë se atricioni është imoral. Megjithatë, kjo është mënyra se si fitohen shumica e luftërave të mëdha, agresorët munden, bota rindërtohet herë pas here. Mund të pranojmë më mirë atricionin që në fillim, t’ua shpjegojmë këtë atyre që dërgojmë për të luftuar dhe të zgjedhim vetëm të luftojmë luftërat që vlejnë atë çmim të tmerrshëm. Në vend të kësaj, ne bëhemi të shqetësuar nga lodhja dhe ankohemi se është tragjike dhe shpërdoruese, edhe pse Ushtria e Unionit mundi skllavërinë në Amerikë dhe ushtritë aleate dhe sovjetike mundën nazizmin.

    Me përulësi dhe vetëdije të plotë morale për kostot e saj të tmerrshme, nëse vendosim se ia vlen të luftohet një luftë, duhet të lavdërojmë më shumë atricionin dhe të luftojmë më pak. Ka po aq vend për guxim dhe karakter në një luftë atricioni sa në një betejë. Kishte plot karakter dhe guxim nga të gjitha anët në Verdun dhe Iwo Jima, në pyllin Hürtgen, në Kore. Karakteret numërohen në luftime. Sakrifica nga ushtarët në Shiloh ose Marne, Kharkov, plazhin Juno ose Luginën Ia Drang ose Korengal nuk ishin akte të liga, të vogla ose moralisht të padobishme. Fitorja apo disfata me atricion, me eksploziv të lartë dhe mitraloz me kalimin e kohës, nuk e asgjëson të gjithë kuptimin moral dhe njerëzor.

    Cathal J Nolan jep histori ushtarake në Universitetin e Bostonit. Ai është autor i The Allure of Battle: A History of How Wars Have Been Won and Lost (2017).

    Teksti është përkthyer në shqip nga gazeta online Reporteri.net. Titulli origjinal: “Luftërat nuk fitohen me gjenialitet ushtarak as beteja vendimtare”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!