“Në fund, gjithçka bëhet – ndonjëherë edhe më mirë sesa e kishim menduar.”
Ky është mesazhi që moderatorja Arbana Osmani përcolli në një rrëfim të sinqertë në podcast-in e saj “Mirëmbrëma yje”, ku foli hapur për fajin, dilemat dhe ndjenjat e mëmësisë që shumë gra i përjetojnë, por rrallë i thonë me zë të lartë.
Osmani tregoi se shtatzënia me vajzën e saj, Zoi, erdhi në një moment kur ndodhej në kulmin e angazhimeve profesionale dhe pas një periudhe të rënduar emocionalisht.
“Zoi më erdhi në jetën time në kulmin e punës dhe të shumë ngjarjeve që më kishin lodhur emocionalisht. Kisha nevojë të qetësohesha, sapo i kisha hequr gjirin Diellit pas një viti dhe kisha planifikuar një udhëtim të largët në Amerikë, për të kaluar disa ditë me Edin. Doja thjesht pak qetësi. Kur zbulova që isha shtatzënë, ishte një shok. E kam dënuar veten për faktin që u mërzita në atë moment”, rrëfeu ajo.
Moderatorja pranoi se nuk ndihej gati për një fëmijë tjetër, por se gjërat morën rrjedhën e tyre natyrale.
“Nuk isha gati për një fëmijë tjetër kaq shpejt. Pyesja veten se si do t’ia dilja me punën, pasionet, dy fëmijët e tjerë dhe gjithë sipërmarrjet që kisha ndërkohë. Por për çudi, gjithçka u bë. Në fund, bëhen të gjitha”, u shpreh Osmani.