Muzikanti portorikan Bad Bunny ka hyrë në histori duke u bërë artisti i parë që fiton çmimin “Albumi i Vitit” në Grammy me një projekt të kënduar tërësisht në spanjisht.

Albumi i tij Debí Tirar Más Fotos (Duhej të kisha bërë më shumë foto) triumfoi ndaj emrave të mëdhenj si Lady Gaga, Kendrick Lamar dhe Sabrina Carpenter.

31-vjeçari, i cili pritet të performojë në spektaklin e Super Bowl javën e ardhshme, ia dedikoi çmimin emigrantëve, duke e kthyer ceremoninë në një mesazh solidariteti.

Reklamë

“Ky çmim është për të gjithë ata që lanë shtëpinë dhe vendin e tyre për të ndjekur ëndrrat,” tha ai me lot në sy, citon BBC.

Më herët gjatë mbrëmjes, kur fitoi çmimin për albumin më të mirë música urbana, ai u shpreh më drejtpërdrejt: “Para se të falënderoj Zotin, dua të them ICE ik,” tha ai, duke iu referuar oficerëve të emigracionit në SHBA, pas javësh tensioni në Minneapolis, ku u vranë dy civilë.

“Ne nuk jemi barbarë, nuk jemi kafshë, nuk jemi alienë, ne jemi njerëz dhe jemi amerikanë.”, janë fjalët e artistit.

Ceremonia e këtij viti u shënua nga mesazhe të forta politike. Billie Eilish, fituese e “Këngës së Vitit” me Wildflower, u bëri thirrje amerikanëve të protestojnë dhe të mos heshtin.

“Është shumë e vështirë të dish çfarë të thuash dhe çfarë të bësh tani,” tha ajo. “Mendoj se duhet të vazhdojmë të luftojmë, të flasim dhe të protestojmë. Zërat tanë kanë rëndësi, dhe njerëzit kanë rëndësi.”

Reklamë

Olivia Dean, e shpallur “Artistja më e re më e mirë”, kujtoi rrënjët e saj si emigrante duke thënë: “Jam produkt i guximit dhe pa njëri-tjetrin nuk jemi asgjë.”

Kendrick Lamar fitoi “Albumin më të mirë Rap” me GNX, duke kaluar Jay-Z si reperi me më shumë Grammy në histori (27 gjithsej), ndërsa Lady Gaga mori trofeun e saj të 16-të me albumin Mayhem.

Bad Bunny u largua nga ceremonia me tre çmime, duke shënuar një moment historik për muzikën latine, e cila për vite me radhë ishte lënë në hije nga industria anglishtfolëse.

Me mbi 19.8 miliardë dëgjime në Spotify vetëm vitin e kaluar, ai konfirmoi statusin e tij si fenomen global.

Reklamë