Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, kaloi fundjavën duke festuar në Prishtinë, dasmën e kushëririt të saj, And Gjakova, i cili kurorëzoi dashurinë me Rozafa Kelmendin në kryeqytetin e Kosovës. Dasma dhe prezenca e yllit me prejardhje nga Kosova ka marrë vëmendjen edhe të mediumit britanik “Daily Mail”.
Përmes Instagramit, Dua ndau me 88 milionë ndjekësit e saj disa momente nga ajo që e përshkroi si një “dasmë të madhe shqiptare”. Vëmendjen më të madhe e mori një video ku këngëtarja shihet duke vallëzuar përkrah babait të saj, Dukagjin Lipës, shkruan Daily Mail.
Dua tregoi aftësitë e saj në vallëzim, ndërsa në mënyrë mbresëlënëse mbante një gotë të balancuar mbi kokë. Të afërmit dhe miqtë e pranishëm e duartrokitën dhe e brohoritën gjatë gjithë vallëzimit.
“Mbretëresha jonë shqiptare”, shkroi një prej fansave në koment.
Babai i saj, Dukagjini, ndërkohë bëri shaka duke shkruar: “Unë ende po vallëzoj”.
Komentet pozitive nuk munguan as nga ndjekësit e tjerë.
“A ka ndonjë gjë që nuk di ta bësh?”, pyeti një fans, ndërsa një tjetër shkroi se Dua “është përkufizimi i dikujt që po e shijon jetën në maksimum”.
Këngëtarja publikoi një seri fotografish dhe videosh nga dasma, të shoqëruara edhe me një mesazh të veçantë për çiftin.
“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe ne bëmë një dasmë të madhe shqiptare!”, shkroi ajo.
Dua shtoi më pas në shqip: “Po na rritet rrethi!!!!!”.
Në dasmë nuk u pa bashkëshorti i saj, Callum Turner. Këngëtarja e kaloi fundjavën me familjen e saj, përfshirë babanë Dukagjin, nënën Anesa, motrën Rina dhe vëllain Gjin.
Për ceremoninë, Dua zgjodhi një fustan të zi elegant me pupla dhe me pjesën e pasme të hapur.

Gjatë fundjavës ajo u shfaq edhe me një bluzë vintage të punuar me grep nga Lou de Bètoly, ndërsa publikoi disa selfie së bashku me familjarët.
Dua Lipa ka folur vazhdimisht me krenari për origjinën e saj shqiptare nga Kosova.
Ajo ka lindur në Londër në vitin 1995, pasi prindërit e saj ishin shpërngulur nga Kosova. Gjatë fëmijërisë, shqipja ishte gjuha e saj e parë.
Familja u rikthye në Prishtinë pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, ndërsa Dua u kthye në Britani të Madhe në moshën 15-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e saj për një karrierë muzikore.
Në vitin 2022, Dua Lipa mori shtetësinë shqiptare në një ceremoni të organizuar nga presidenti Bajram Begaj, i cili vlerësoi kontributin e saj në promovimin e shqiptarëve në botë përmes muzikës.

Së bashku me babanë e saj, ajo themeloi në vitin 2016 fondacionin “Sunny Hill Foundation”, i cili përmes aktiviteteve dhe koncerteve në Kosovë synon të mbështesë njerëzit në vështirësi ekonomike.
Paraqitja e saj në dasmën familjare vjen vetëm pak muaj pas festimeve të martesës së saj me aktorin Callum Turner.
Dua ka treguar së fundmi se gjatë ditës së martesës, ajo dhe Callum ishin përpjekur që mes turmës së të ftuarve të mos e humbnin asnjëherë njëri-tjetrin nga sytë.
“Dita jonë e dasmës ishte magjike. Morëm shumë këshilla, por vendosëm të ndiqnim vetëm dy: ta përjetonim ditën sikur të ishim edhe ne mysafirë dhe të vazhdonim ta gjenim njëri-tjetrin në mes të turmës”, tha ajo për Vogue Italia.