Këngëtarja Dua Lipa dhe aktori Callum Turner, të cilët janë fejuar vitin e kaluar, raportohet se po përgatiten të martohen në qytetin italian Palermo në muajin shtator.
Sipas gazetës italiane “Giornale di Sicilia”, një organizatore dasmash ka punuar prej kohësh në Palermo për të përgatitur ceremoninë që pritet të zhvillohet nga data 5 deri më 7 shtator. Ndërkohë, “La Repubblica” shkruan se për dasmën pritet të mbërrijnë shumë të ftuar me avionë privatë, ndërsa ngjarja është cilësuar si “dasma e vitit”.
Lajmi për fejesën e tyre u konfirmua nga vetë Dua Lipa në një intervistë për “British Vogue”, ku ajo shprehu emocionin për këtë hap të ri në jetën e saj. Ajo tha se vendimi për të ndërtuar një jetë së bashku dhe për t’u rritur bashkë është një ndjenjë shumë e veçantë.
“Po, jemi fejuar. Është shumë emocionuese… Ky vendim për të u plakur bashkë, për të parë një jetë dhe për të qenë shokë të ngushtë përgjithmonë është një ndjenjë shumë e veçantë,” ka deklaruar ajo.
Sipas raportimeve, fejesa e çiftit ka ndodhur gjatë periudhës së Krishtlindjeve të vitit 2024, ndërsa ata u lidhën për herë të parë në fillim të atij viti. Dua është parë shpesh me një unazë diamanti, duke konfirmuar indirekt lajmin e fejesës.
Në intervista të fundit, këngëtarja ka treguar se për shkak të angazhimeve të saj muzikore dhe turneve, nuk e ka menduar gjatë organizimin e dasmës. Ajo ka theksuar se do të presë përfundimin e turneut të saj dhe xhirimeve të Callum Turner përpara ceremonisë.
“Dua të përfundoj turneun tim, Callum po xhiron, kështu që po e shijojmë këtë periudhë,” ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu ka pranuar se ka filluar të mendojë për fustanin e nusërisë, edhe pse më parë nuk e kishte imagjinuar veten si nuse.
“Nuk kam qenë kurrë dikush që ka ëndërruar për dasmën apo për mënyrën si do të isha si nuse. Por tani papritur po mendoj: çfarë do të vesh?” ka shtuar ajo.
Dua ka thënë gjithashtu se është “e dashuruar” me unazën e saj të fejesës dhe ka theksuar se është e rëndësishme të kesh pranë një person që të njeh shumë mirë dhe me të cilin ndan jetën.
Në të ardhmen, ajo ka shprehur dëshirën për të krijuar familje, por ka thënë se ende nuk e di se kur do të ishte koha e duhur për shkak të angazhimeve të saj profesionale dhe turneve ndërkombëtare./KultPlus.com