Dua Lipa raportohet se është në bisedime të avancuara për të qenë një nga emrat kryesorë të Coachella 2027, një hap që do ta forconte edhe më shumë statusin e saj si një prej artisteve britanike më të suksesshme në arenën ndërkombëtare.
Nëse marrëveshja finalizohet, këngëtarja me origjinë shqiptare do t’i bashkohej listës së yjeve të mëdhenj që kanë kryesuar festivalin amerikan, mes tyre Lady Gaga dhe Sabrina Carpenter.
Sipas një burimi të cituar nga mediat britanike, Dua kishte qenë në bisedime me organizatorët e Coachella-s edhe në vitin 2023, por në fund zgjodhi të përqendrohej te Glastonbury.
Tashmë, pas një turneu të madh botëror në stadiume, organizatorët e Coachella-s thuhet se po bëjnë përpjekje serioze për ta siguruar atë si headlinere.
“Shfaqjet do të shënonin nisjen e një epoke të re për Dua-n dhe do ta konfirmonin si një nga emrat më të mëdhenj të pop-it”, ka thënë burimi.
Coachella synon një emër të madh për vitin 2027
Sigurimi i Dua Lipës do të ishte një fitore e rëndësishme për organizatorët e festivalit, veçanërisht pasi, sipas raportimeve, bisedimet me supergrupin koreano-jugor BTS nuk përfunduan me marrëveshje.
Burime pranë negociatave pretendojnë se BTS kishte zhvilluar diskutime paraprake me Coachella-n, por grupi vendosi të përqendrohej në turneun e vet.
“BTS ishte në bisedime të hershme, por gjithçka u mbyll shpejt. Ata donin të fokusoheshin në turneun e tyre dhe Coachella nuk përshtatej me planet”, thuhet në raportim.
Album i ri dhe turne i madh në horizont
Dua Lipa po përgatitet gjithashtu për albumin e saj të katërt në studio, që do të vijë pas “Radical Optimism”, albumit të vitit 2024 që arriti vendin e parë në klasifikime.
Sipas raportimeve, këngëtarja po planifikon edhe një turne të madh në stadiume gjatë vitit të ardhshëm, i cili pritet të shoqërojë epokën e re muzikore.
Kënga e parë nga albumi i ardhshëm pritet të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm, megjithëse ende nuk ka një njoftim zyrtar.
Nëse pjesëmarrja në Coachella 2027 konfirmohet, festivali mund të shërbejë si platforma kryesore për prezantimin e kapitullit të ardhshëm të karrierës së Dua Lipës.
Për momentin, megjithatë, marrëveshja mbetet në fazën e bisedimeve dhe pritet konfirmimi zyrtar nga organizatorët ose ekipi i artistes.
