Sonte mbahet finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2026, ku Shqipëria përfaqësohet nga këngëtari Alis me këngën “Nan”.
Pak momente para nisjes së spektaklit final, artisti ka shprehur falënderim për shqiptarët e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe ka bërë thirrje për votim.
“Faleminderit të gjithë shqiptarëve të Kosovës për mbështetjen. Ju ftoj të votoni sonte për numrin 05, ju jam mirënjohës nga zemra dhe ju falënderoj”, tha ai.
Në përmbyllje, Alis u shpreh optimist dhe shpresëplotë për një paraqitje të suksesshme në natën finale, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së publikut në këtë garë të madhe muzikore.
Votimi me SMS dhe me thirrje telefonike hapet gjatë spektaklit të sotëm derisa shqiptarët që jetojnë në diasporë do të kenë mundësinë të votojnë për të preferuarin e tyre, por kjo metodë votimi nuk vlen për banorët që jetojnë në Kosovë.
Megjithatë, ekziston një mënyrë për të votuar nga Kosova, sipas manualit për shtetet jo-pjesëmarrëse. Votimi mund të bëhet online përmes platformës ESC.vote.
Alis u kualifikua në finalen e madhe pas një performance emocionuese në gjysmëfinalen e dytë, gjë që u reflektua edhe në votat e publikut dhe jurisë.
Kënga “Nan”, nga artisti shkodran, trajton mallin e një nëne për fëmijët në mërgim. Teksti i këngës ka një rëndësi të veçantë pasi është shkruar nga e dashura e tij, Desara Gjini.
Artisti do të ngjitet sonte në skenë për herë të dytë, kësaj radhe si finalist i edicionit të sivjetmë të Eurovisionit.