Rrjeti i OJQ-ve për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe Luftimin e Diskriminimit Etnik ka reaguar publikisht ndaj këngës “zkz / 8 Miliard” të artistit Buta, duke dënuar gjuhën që e cilëson diskriminuese dhe pezhorative ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Në reagimin e publikuar, rrjeti i OJQ-ve ka thënë se përdorimi i shprehjeve fyese nuk mund të arsyetohet si art dhe se mesazhe të tilla kontribuojnë në përhapjen e stereotipeve dhe gjuhës së urrejtjes.

“Përdorimi i shprehjeve fyese ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian nuk është art, por kontribuon në normalizimin e diskriminimit, stereotipeve dhe gjuhës së urrejtjes në shoqëri”, thuhet në reagim.

Reklamë

Tutje, organizatat kanë theksuar se komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian janë pjesë e pandashme e shoqërisë kosovare dhe meritojnë trajtim të barabartë.

“Komunitetet tona janë pjesë e pandashme e Kosovës dhe meritojnë respekt, dinjitet dhe trajtim të barabartë”, thuhet më tej.

Në reagim i është bërë thirrje artistit Buta që të kërkojë falje publike, të reflektojë mbi mesazhet që transmeton dhe të largojë ose korrigjojë përmbajtjen që konsiderohet diskriminuese.

Po ashtu, rrjeti i OJQ-ve u ka bërë thirrje mediave dhe platformave digjitale që të mos promovojnë përmbajtje që, sipas tyre, nxisin diskriminim dhe stereotipe negative ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Reklamë