Këngëtari i njohur turk, İbrahim Tatlıses, ka marrë lajme të mira lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
Mjeku i spitalit ku po trajtohet, Edip Gonullu, ka publikuar një fotografi me këngëtarin nga dhoma e spitalit, ndërsa përmes postimit të tij ka dhënë edhe një përditësim për gjendjen e Tatlıses.
Në fotografi, këngëtari shfaqet duke buzëqeshur, ndërsa mjeku ka thënë se është i lumtur që ka arritur t’ia lehtësojë dhimbjet që e kanë shqetësuar për një kohë të gjatë.
“Jam i lumtur që arritëm t’ia lehtësonim dhimbjen që ka vazhduar për një kohë të gjatë vëllait tim të dashur, i njohur ndryshe si ‘Perandori’, İbrahim Tatlıses. Kjo u pasqyrua në buzëqeshjen në fytyrat tona”, ka shkruar Gonullu.
“Me shëndet dhe gjithmonë me buzëqeshje të tilla të bukura”, ka shtuar ai.
Tatlıses ishte shtruar në spital në muajin prill për shkak të një infeksioni.
Më pas, këngëtari iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale në fshikëzën e tëmthit.
Postimi i fundit i mjekut lë të kuptohet se gjendja e Tatlıses është përmirësuar dhe se dhimbjet që e kanë shqetësuar për një periudhë të gjatë janë lehtësuar.