Prindërit e aktorit të njohur të serialit Friends, Matthew Perry, i kanë dërguar një letër gjykatësit që pritet të japë vendimin për mjekun Salvador Plasencia, i cili i ka përshkruar recetën dhe e ka furnizuar aktorin me ketaminë përpara vdekjes së tij nga mbidoza në vitin 2023.
Në deklaratat e tyre, familjarët shprehen se nuk e kuptojnë dot pse mjeku e ka furnizuar vazhdimisht Perry-n me këtë anestetik që shkakton shkëputje nga realiteti, duke e cilësuar si një shkelje të rëndë të betimit të Hipokratit.
Siç shkruan BBC, babai dhe njerka e aktorit (John dhe Debby) thanë se humbja e tij ka “shkatërruar” familjen, ndërsa nëna e tij biologjike dhe njerku (Suzanne dhe Keith Morrison) e quajtën mjekun e akuzuar një “çakall” që ka tradhtuar besimin e pacientëve.
Ata thanë se Matthew kishte kaluar kohë duke u përpjekur të shërohej dhe shpresonte për një rikthim tjetër në aktrim: “Ai donte, kishte nevojë, meritonte… një akt të tretë. Ishte… në planifikim. Dhe pastaj, ata çakejtë…”
Salvador Plasencia, i njohur edhe si “Dr P”, është i pari që do të dënohet në lidhje me vdekjen e Perry-t, pasi verën e kaluar pranoi fajësinë për katër akuza të shpërndarjes së ketaminës. Ai rrezikon deri në 40 vite burg, megjithëse prokurorët kanë kërkuar një dënim prej tre vitesh.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se mjeku e ka injektuar Perry-n me ketaminë në shtëpi dhe madje edhe në një parking në Long Beach, si dhe i ka mësuar asistentit të tij mënyrën e administrimit të drogës.
Hetimi federal, që përfshiu pesë persona të akuzuar, zbuloi se Perry kishte siguruar sasi të mëdha ketamine përmes një rrjeti të paligjshëm në Hollywood. Prokurorët theksuan se Plasencia dhe të tjerët “përfituan nga varësia e Perry-t për t’u pasuruar”, ndërsa familja e aktorit kërkon një dënim të rëndë për mjekun, duke e cilësuar si përgjegjës për humbjen e “djalit të tyre të vetëm”.