Këngëtari i njohur, Shpat Kasapi, ka vdekur sot në moshën 40-vjeçare.
Familjarët e tij kanë konfirmuar se Kasapi ka vdekur në Itali, pas një sulmi kardiak, shkruan Reporteri.net.
Ai ka lënë pas vetes gruan dhe djalin 3-vjeçar.
Kasapi u lind më 1 maj 1985 në Tetovë, në një familje me traditë muzikore. Shkollimin e përfundoi në Shkup.
Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000.
Shpejt Kasapi u bë shpejt një nga artistët më të dashur në tregun muzikor në Kosovë dhe Shqipëri.
Përgjatë karrierës së tij, ai ka fituar një varg çmimesh.
Këngët e tij më të njohura janë “Valle Kosovare”, “A më do?”, “Kush të ndau prej meje”.
Pas vdekjes së tij, kolegë, miq e bashkëpunëtorë kanë dalë me reagime, ku janë shprehur të shokuar me lajmin.
Këngëtari Ermal Fejzullahu që ishte mik me të që nga fëmijëria, ka thënë se nuk mund ta besoj që ka vdekur.
“E filluam karrierën bashkë e shumë kujtime të bukura patëm me të të cilat do t’i ruaj tanë jetën” shkruan Ermali ndër të tjera në mesazhin prekës për Shpatin.
Miku i tij tjetër, Blero, e ka quajtur atë njeri me zemër të madhe.
“Sot zemra më është thyer në një mënyrë që s’e kam njohur kurrë më parë. Ikja jote Shpat, na ka lënë të gjithëe pa fjalë, pa frymë, pa forcë. Miku im, kolegu im, njeriu me shpirt të bardhë dhe zemër të madhe … do të të mbaj mend gjithmonë me buzëqeshjen që e ndriçonte çdo dhomë ku hyje”, ka shkruar mes tjerash Blero.
Këngëtarja Big Mama ka shpërndarë një foto të Kasapit, teksa ka thënë se ky lajm ia ka këputur shpirtin.
“O Shpati bre … nuk dua ta besoj. U zgjova me lajmin më të trishtë dhe më të këputë shpirtin. Fëmijëria jonë dhe kujtimet tona sot dhembjin edhe më shumë. Do të më mungosh përgjithmonë, vëlla. Prehu në paqe. Ngushëllime të sinqerta familjarëve… Zoti ju dhëntë forcë e durim në këtë dhimbje.”/Reporteri.net/.