Këngëtarja dhe aktorja Miley Cyrus ka rikthyer vëmendjen te vitet e saj të adoleshencës, duke ndarë detaje të reja nga jeta personale gjatë kohës kur luante në serialin e famshëm Hannah Montana.

Gjatë një interviste në specialen për 20-vjetorin e serialit, Cyrus pranoi se kishte pasur një lidhje me aktorin Dylan Sprouse, të cilin e përshkroi si “më të ëmblin”. Ajo kujtoi se ishte dashuruar me të në një moshë shumë të re, në periudhën kur të dy ishin pjesë e projekteve të Disney Channel.

“Dylan ishte dashuria ime e adoleshencës”, tha Cyrus, duke shtuar me humor se shpesh dilnin bashkë me vëllanë e tij binjak Cole Sprouse, pasi babai i tyre i shoqëronte për të ngrënë sushi.

Reklamë

“Ishte si një ofertë ‘dy në një’, sill edhe vëllanë me vete”, u shpreh ajo.

Në atë periudhë, Cyrus ishte protagoniste në “Hannah Montana” (2006–2011), ndërsa vëllezërit Sprouse luanin në serialet The Suite Life of Zack & Cody dhe The Suite Life on Deck. Ata bashkëpunuan edhe në episodin special të përbashkët “That’s So Suite Life of Hannah Montana”, i cili bashkoi disa nga serialet më të njohura të kohës.

Nga ana e tij, Dylan Sprouse ka folur më herët për këtë lidhje në emisionin “Jimmy Kimmel Live!” në vitin 2008, duke treguar se ishte vetëm 11 ose 12 vjeç kur u njohën dhe se kishin dalë disa herë së bashku. Aktori sot është i martuar me modelen Barbara Palvin, me të cilën lidhi kurorë në korrik 2023.

Cyrus gjithashtu përmendi edhe marrëdhënien e saj të kaluar me këngëtarin Nick Jonas, me të cilin ishte në lidhje nga viti 2006 deri në 2007 dhe u ribashkuan për një periudhë të shkurtër në 2009. Ajo theksoi se disa nga këngët e saj, si “Before the Storm” dhe “7 Things”, u frymëzuan nga kjo histori, por shtoi se sot nuk mban më asnjë ndjenjë negative ndaj tij. Jonas është aktualisht i martuar me aktoren Priyanka Chopra dhe kanë një vajzë së bashku.

Sot, Miley Cyrus është e fejuar me muzikantin Maxx Morando, me të cilin është në një lidhje që nga viti 2021. Fejesa u bë publike në dhjetor, kur artistja u shfaq në Los Angeles gjatë premierës së filmit Avatar: Fire and Ash, duke mbajtur një unazë diamanti.

Reklamë