Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka ndarë një lajm të gëzueshëm me publikun. Bashkëshortja e tij, Usha, është shtatzënë me fëmijën e tyre të katërt.
“Jemi të lumtur të ndajmë me ju lajmin se Usha është shtatzënë. Ajo dhe i vogli janë mirë, dhe mezi presim ta takojmë në korrik.”, shkruan Vance në rrjetet sociale, duke falënderuar mjekët ushtarakë dhe stafin që kujdesen për familjen e tyre.
“Gjatë kësaj periudhe emocionuese dhe të ngarkuar, jemi veçanërisht mirënjohës ndaj mjekëve ushtarakë që kujdesen në mënyrë të shkëlqyer për familjen tonë dhe ndaj stafit që angazhohet kaq shumë për të siguruar që ne të mund t’i shërbejmë vendit duke shijuar një jetë të mrekullueshme me fëmijët tanë.”, vazhdon më tej mesazhi i zëvendëspresidentit amerikan.
Çifti ka tashmë tre fëmijë: Ewan (2017), Vivek (2020) dhe Mirabel (2022). Usha Vance, e cila mbushi 39 vjeç më 6 janar, është “second lady” (Zonja e dytë) më e re në historinë amerikane. Ajo është rritur në San Diego, me origjinë nga Andhra Pradesh (Indi), dhe u martua me Vance në vitin 2014 pas njohjes në Universitetin e Yale.
Ky njoftim vjen pas thashethemeve për një krizë bashkëshortore, të cilat nisën vjeshtën e kaluar kur Usha u pa pa unazë martese në disa dalje publike. Madje u përfol edhe për një lidhje të supozuar mes zv.presidentit dhe Erika Kirk, e veja e aktivistit Charlie Kirk.
Në një intervistë për USA Today, Usha i ka mohuar këto zëra, duke sqaruar se unazën thjesht nuk e mban gjithmonë: “Ndonjëherë sapo kam bërë dush ose kam qenë në palestër. Më argëton fakti që njerëzit flasin, por unë preferoj ta jetoj martesën time në botën reale.”