Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar për arrestimin e këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti.

Sipas Prokurorisë, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe dyshohet për disa vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë”, shkruan Reporteri.net.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik, se me urdhër të Prokurorit Kujdestar është ndaluar për 48 orë një (1) person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale ‘’Kanosja’’ sipas nenit 181 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë’’ në bazë të nenit 321 të KPRK-së. Personi i ndaluar është i njohur për opinionin publik si këngëtari Gjesti.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Reklamë

Sipas komunikatës, Prokurori i Shtetit, në koordinim dhe bashkëpunim me Policia e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në lidhje me këtë rast.

“Për shkak të fazës së hershme tëprocedurës hetimore dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të ofrohen detaje shtesë lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Prishtinë, brenda afatave ligjor, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe do të vendosë për masat e mëtejshme në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.”, thuhet tutje në njoftim.

Për arrestimin e tij  kanë folur edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinë, Enis Pllana, ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Reklamë

“Sot, rreth orës 15:00, në rrugën “Mehmet Isahi” në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari është intervistuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.”, ka thënë Pllana.

Arrestohet Gjesti