Koncerti që do të jetë sot në mbrëmje pritet të thyejë rekordet e pjesëmarrjes, me mbi 2 milionë njerëz të pranishëm në plazh, duke e kthyer Rion në kryeqendrën e muzikës latine për një natë të paharrueshme.
Performanca e superyllit kolumbian vjen pas koncerteve të ngjashme nga Madonna në vitin 2024 dhe Lady Gaga vitin e kaluar, të cilat gjithashtu u ndoqën nga turma të mëdha që kërcyen në rërën e gjerë. Koncerti është pjesë e turneut botëror “Las Mujeres Ya No Lloran” (“Gratë nuk qajnë më”), i quajtur sipas albumit të saj të vitit 2024.
Këngëtarja latine deklaroi në një intervistë për TV Globo se pret që koncerti në Copacabana të jetë më i madhi në karrierën e saj.
“Për mua është një ëndërr. Gjithmonë kam ëndërruar të këndoj në këtë plazh, sepse mendoj se është një vend magjik”, tha ajo në portugalisht, duke shtuar se e ka mësuar këtë gjuhë përpara anglishtes.
Brazili ishte një nga vendet e para ku Shakira arriti sukses që në vitet 1990, falë karizmës së saj dhe lidhjes që krijoi me publikun brazilian, sipas Felipe Maia, studiues i etnomuzikologjisë që po ndjek doktoraturën në muzikë popullore dhe teknologji digjitale në Universitetin Paris Nanterre.

