Ylli kolumbian i muzikës pop, Shakira, do të japë të paktën gjashtë koncerte në Madrid këtë shtator në një stadium të ndërtuar me porosi, i aftë të presë deri në 50 mijë spektatorë. Kjo është njoftuar nga organizatorët e eventit në një konferencë për shtyp.

“Estadio Shakira” do të ngrihet në sallën e koncerteve të hapura të Iberdrola Music, e cila shtrihet në 185,000 metra katrorë dhe ndodhet në periferi të kryeqytetit spanjoll. Vendi do të riemërtohet si “Macondo Park”, një homazh për fshatin imagjinar në veprën “Njëqind Vjet Vetmi” të Gabriel García Márquez.

“Nuk jam ndjerë kurrë kaq krenar për një projekt të këtyre përmasave sa tani, sepse është diçka që feston jetën dhe kulturën e të gjithë latino-amerikanëve”, shprehet Pino Sagliocco, president i Live Nation.

Reklamë

18, 19, 20, 25, 26 dhe 27 shtatori janë konfirmuar si datat zyrtare të koncerteve në Madrid. Shakira, e cila jetoi në Barcelonë për disa vite, është përballur edhe me hetime nga autoritetet tatimore spanjolle për të ardhurat e saj në mbarë botën gjatë qëndrimit të saj në vend. Ajo zgjidhi një çështje për 8.5 milionë dollarë në vitin 2023 për të shmangur gjyqin.