Një dramë e re ka shpërthyer në familjen Beckham.

Brooklyn Beckham, djali i parë i çiftit të njohur të showbizit, ish-futbollistit David Beckham dhe disnejatores e ish-këngëtares, Victoria Beckham, ka konfirmuar për herë të parë problemet me familjen. Ai ka thënë se që kur ka qenë i vogël është kontrolluar nga nëna e babai dhe se problemet e shumta kanë filluar që kur ka nisur lidhjen me modelen Nicola Pelts Beckham.

Brooklyn ka shkruar një tekst të gjatë, përmes së cilit ka thënë se familja e tij e ngushtë asnjëherë nuk e ka pranuar, gruan e tij, Nicolan.

Reklamë

“Kam qëndruar i heshtur për shumë vite në lidhje me këtë dhe kam bërë çdo përpjekje për ta mbajtur private këtë çështje. Fatkeqësisht, prindërit e mi e ekipi i tyre vazhdimisht shkojnë në shtyp e media, duke mos më lënë zgjidhje tjetër pos të flas për veten time e ta tregoj të vërtetën rreth disa gënjeshtrave që janë përmendur”, ka thënë ai.

Brooklyn ka thënë se nuk dëshiron të pajtohet me familjen dhe se nuk është duke u kontrolluar më, pasi po do të ngre zërin për vete për herë të parë në jetë.

“Tërë jetën time, prindërit e mi e kanë kontrolluar narrativën e shtypit rreth familjes tonë. Performancën në postimet e tyre ne rrjete sociale, ngjarjet familjare si dhe lidhjet në mes nesh kanë qenë montazh i jetës, në të cilën unë kam lindur”, ka thënë ai.

Tutje, Brooklyn ka thënë se ani pse gjithçka është fasadë e rregulluar për shtyp, në fund e vërteta do të dalë në shesh duke shtuar se prindërit e tij, që në fillim të lidhjes me modelen, janë munduar ta shkatërrojnë lidhjen dhe nuk janë ndalur asnjëherë.

Reklamë

“Nëna ime e anuloi krijimin e fustanit të nusërisë për Nicolan në  momentet e fundit, ani pse ajo ishte shumë e ngazëllyer të vishte krijimin e saj, duke e detyruar të gjej fustan të ri me urgjencë. Disa javë para martesës prindërit e mi janë përpjekur që unë të heq dorë nga të drejtat e emrit tim, gjë që do të ndikonte tek unë, te gruaja ime e të fëmijët e mi në të ardhmen”, ka thënë Brooklyn.

Në shkrimin e tij, Brooklyn gjithashtu ka thënë se nëna e tij, Victoria, gjatë gjithë kohës është munduar ta ngacmojë Nicolan duke e poshtëruar.

Gjatë planifikimit të dasmës, Brooklyn ka rrëfyer se marrëdhëniet me familjen e tij u tensionuan rëndë.

Reklamë

Ai ka treguar se nëna e tij shkoi aq larg sa e quajti “i lig”, vetëm sepse ai dhe Nicola vendosën që gjyshet e tyre, Nanny Sandra dhe Naunni e Nicolas, të uleshin në tavolinën e tyre, pasi të dyja ishin pa bashkëshortët.

“Prindërit tanë kishin secili nga një tavolinë të vetën, të vendosura në mënyrë të barabartë pranë nesh”, ka sqaruar ai.

Tutje , Brooklyn, i cili ka vëllezërit Romeo 23 vjeç, Cruz, 20 vjeç dhe motrën Harper 14-vjeçare, ka treguar se situata u përkeqësua edhe më shumë një natë para dasmës.

“Një natë para dasmës sonë, anëtarë të familjes sime më thanë se Nicola ‘nuk është gjak’ dhe ‘nuk është familje’”, ka shkruar ai.

Reklamë

Ai pretendon se që nga momenti kur filloi të mbrojë veten dhe bashkëshorten, ka qenë vazhdimisht nën sulm.

“Që kur fillova të mbroj veten përballë familjes sime, kam marrë sulme të pafundme nga prindërit e mi, si privatisht ashtu edhe publikisht, të cilat janë dërguar në media me urdhrin e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe vëllezërit u përfshinë në konflikt.

“Edhe vëllezërit e mi u nxitën të më sulmonin në rrjete sociale, përpara se të më bllokonin papritur verën e kaluar”, ka thënë ai

Reklamë

Një nga momentet më të dhimbshme, sipas Brooklynit, ndodhi gjatë dasmës kur nëna e tij “i rrëmbeu” vallëzimin e parë me gruan, i cili ishte planifikuar prej javësh me një këngë romantike.

Ai ka shpjeguar se para 500 të ftuarve, këngëtari Marc Anthony e thirri në skenë, aty ku sipas programit duhej të zhvillohej vallëzimi i tij romantik me Nicolën.

“Në vend të kësaj, nëna ime po më priste për të vallëzuar me mua. Ajo u soll shumë në mënyrë të papërshtatshme para të gjithëve. Nuk jam ndierë kurrë më i parehatshëm dhe më i poshtëruar në jetën time”, ka thënë ai.

Brooklyn vazhdoi duke thënë se Nicola është “shpesh e trajtuar me mungesë respekti” nga familja e tij.

Ai pretendon se nëna e tij ka ftuar vazhdimisht gra nga e kaluara e tij në jetën e tyre.

“Nëna ime ka ftuar vazhdimisht gra nga e kaluara ime në mënyra që ishin qartësisht të menduara për të na bërë të dyve të ndihemi në siklet”, ka thënë ai.

Brooklyn ka treguar edhe për përpjekjet për t’u afruar me babanë e tij.

“Udhëtuam në Londër për ditëlindjen e babait tim dhe u refuzuam për një javë të tërë, duke pritur në dhomën e hotelit, ndërsa përpiqeshim të planifikonim kohë cilësore me të”, ka thënë ai.

Sipas tij, David Beckham pranoi ta takonte vetëm në kushte të caktuara.

Brooklyn e ka mbyllur rrëfimin duke thënë se është mirënjohës që ka zgjedhur paqen bashkë me gruan e tij.

“Zgjohem çdo mëngjes mirënjohës për jetën që kam zgjedhur dhe kam gjetur paqe dhe lehtësim. Unë dhe gruaja ime nuk duam një jetë të formësuar nga imazhi, mediat apo manipulimi. Ne duam vetëm paqe, privatësi dhe lumturi për ne dhe familjen tonë të ardhshme”, ka shkruar ai në fund.

Ish-futbollisti, David Beckham, ka reaguar publikisht për herë të parë pas këtyre pretendimeve.

Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt konfliktin, fjalët e David Beckham u interpretuan si një reagim i qartë ndaj situatës.

“Unë gjithmonë kam folur për rrjetet sociale dhe fuqinë që ato kanë. Si për mirë, ashtu edhe për keq”, ka thënë Beckham.

Ai ka theksuar se ana negative e rrjeteve sociale është veçanërisht e rrezikshme për të rinjtë.

“Kemi folur për atë se në çka mund të kenë qasje fëmijët sot. Kjo mund të jetë e rrezikshme”, u shpreh ai.

Megjithatë, Beckham ka theksuar se rrjetet sociale mund të përdoren edhe për qëllime pozitive, duke përmendur angazhimin e tij me UNICEF-in.

“Unë kam qenë në gjendje ta përdor platformën dhe ndjekësit e mi për UNICEF-in. Ka qenë mjeti më i fuqishëm për të ndërgjegjësuar njerëzit për atë që po ndodh me fëmijët nëpër botë”, tha ai.