Tayna Foundation ka realizuar sot donacionin e dytë për këtë vit, kësaj radhe të dedikuar për të moshuarit, të cilët fondacioni i cilëson si “gjenerata e artë” e shoqërisë.
Tayna ka vizituar të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, duke ofruar ndihmë dhe përkrahje morale.
“Sot zemra m’u prek thellë. U ktheva tek njerëzit që kanë mbajtur mbi supe sfida të mëdha, që kanë dhënë mund, mençuri dhe forcë për ta ndërtuar botën që ne e gëzojmë sot. Ata kanë sakrifikuar pa zhurmë, por me zemër të madhe”, thuhet në mesazhin e Tayna Foundation.
Ky është donacioni i dytë i fondacionit për vitin 2025, pas mbështetjes së mëhershme për të rinjtë. Sipas fondacionit, kjo ndihmë është një simbol i mirënjohjes për kontributin dhe sakrificën e të moshuarve, të cilët meritojnë kujdes, respekt dhe vëmendje të vazhdueshme.
“Pritja e tyre e ngrohtë, sytë plot histori dhe buzëqeshjet e sinqerta na kujtuan sa pak duhet për të sjellë pak dritë atyre që kanë dhënë gjithçka. Ky gjest është i vogël, por i bërë me shumë dashuri”, thuhet më tej në njoftim.
View this post on InstagramReklamë
Tayna Foundation ka shprehur urimin që viti 2026 t’u sjellë të moshuarve shëndet, paqe dhe ditë më të lehta, duke i falënderuar për çdo fjalë të mirë dhe buzëqeshje.
Fondacioni rithekson se misioni i tij mbetet mbështetja e kategorive në nevojë dhe kontributi në forcimin e solidaritetit shoqëror.