Ka vdekur në moshën 72-vjeçare, ikona e këngës nga Peja, Xhejlane Gutiqi, një nga zërat më të spikatur të brezit të artë të këngëtarëve të Radio Televizioni i Prishtinës.
Ajo shquhej për interpretimet e saj live dhe për fuqinë emocionale të zërit, duke arritur të prekë publikun shqiptar kudo në botë. Në kulmin e karrierës së saj, ajo performoi në skena të ndryshme, duke u bërë një nga emrat më të dashur për publikun.
Ngritja e saj artistike mori hov në vitin 1970 me këngën autoriale “Po t’përbej pash’ Perëndinë”, e cila u regjistrua me orkestrën profesionale të Radio Prishtinës, me insistimin e dirigjentit Isak Muçolli. Kjo këngë mbeti një nga interpretimet më të njohura dhe më të dashura të repertorit të saj.
Në vitet e fundit të jetës, Gutiqi jetoi e tërhequr pranë familjes së saj në lagjen “Kapeshnica” të Pejës, një vend që, sipas saj, kishte ndikuar në formimin artistik dhe personal.
Pas luftës, ajo u rikthye në aktivitetin artistik duke u angazhuar në SHKA Përparimi, ku kishte kontribuar edhe në vitet e hershme të karrierës së saj.
Vdekja e saj shënon një humbje të madhe për muzikën shqiptare, ndërsa trashëgimia që ajo la pas do të vazhdojë të jetojë përmes këngëve dhe kujtimeve që la tek publiku./KultPlus.com