Më 15 korrik 1997, stilisti i njohur italian Gianni Versace u vra para rezidencës së tij luksoze në Miami nga vrasësi serial Andrew Cunanan. Motivi i saktë nuk është zbardhur kurrë, pasi Cunanan kreu vetëvrasje tetë ditë më vonë, përpara se të arrestohej. Vrasja e Gianni Versace tronditi botën e modës dhe shkaktoi një valë pikëllimi në mbarë botën.

Me rastin e 29-vjetorit të vrasjes së tij, Donatella Versace nderoi kujtimin e vëllait përmes një postimi në Instagram. Stilistja, e cila pas vdekjes së Gianni Versace mori drejtimin krijues të shtëpisë së modës Versace, publikoi një fotografi bardhezi ku të dy shfaqen krah për krah.

“Kujtimet që ndamë do të jetojnë përgjithmonë”, shkroi ajo në përshkrimin që shoqëronte fotografinë.

Reklamë

Gianni Versace konsiderohet një nga figurat më me ndikim në historinë e modës, i njohur për stilin e tij të guximshëm, përdorimin e ngjyrave të forta dhe motiveve ikonike që revolucionarizuan industrinë.

Trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë stilistë dhe shtëpia e modës Versace mbetet një nga markat më prestigjioze në botë. Edhe pas gati tre dekadash, kujtimi i tij mbetet i gjallë, ndërsa emri i Versace vazhdon të jetë sinonim i luksit, elegancës dhe inovacionit në modë.