Kristian Prenga ka një rekord prej 20 fitoresh dhe 1 humbjeje. Ai u ngjit për herë të fundit në ring në shkurt të këtij viti, kur mposhti Joe Jones me nokaut teknik (TKO) në Atlantic City të SHBA-së.
Për shumë tifozë të boksit, Prenga mund të mos jetë një emër i njohur. Megjithatë, fakti që ai ka arritur 20 fitore dhe të gjitha i ka mbyllur me nokaut, tregon se nuk duhet nënvlerësuar. Për Anthony Joshuan, kjo mund të jetë një përballje e rrezikshme, një pengesë e papritur që mund t’i prishë planet, ndaj duhet ta marrë me seriozitet maksimal, sidomos duke pasur parasysh sfidat e mëdha që e presin më tej, shkruan faqja e boksit “Boxing Social“.
Që nga humbja me nokaut ndaj Daniel Dubois në shtator të vitit 2024, Joshua ka zhvilluar vetëm pesë raunde të plota. Për këtë arsye, përgatitja më e mirë për një duel të mundshëm me Tyson Fury-n mund të jetë fitimi i më shumë minutave në ring dhe rikthimi i ritmit të garës, ashtu siç bëri Fury në përballjen e tij ndaj Makhmudov.
Nga ana tjetër, shumë adhurues të boksit do të dëshironin të shihnin një paraqitje bindëse nga britaniku. Një fitore dominuese do të ishte sinjali më i fortë se Joshua është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe do t’i jepte besim të madh përpara një dueli të shumëpritur me Furyn.
Çfarë e pret Anthony Joshuan më pas?
Nëse Joshua e kalon pa probleme sfidën ndaj Kristian Prengës, promotori i tij, Eddie Hearn, ka bërë të ditur se boksieri britanik tashmë po planifikon hapat e ardhshëm të karrierës. Sipas tij, në të kaluarën Joshua ishte i fokusuar vetëm te kundërshtari i radhës, ndërsa tani po mendon edhe për të ardhmen.
Kjo mund të tregojë një ndryshim në qasje, teksa ai hyn në fazën e fundit të karrierës së tij.
Përballja me Tyson Fury tashmë është nënshkruar dhe pritet të zhvillohet në fund të muajit nëntor. Pas këtij dueli, varësisht nga rezultati, shumë tifozë dhe analistë ka të ngjarë të kërkojnë një revansh.
Megjithatë, nëse Joshua del fitues, nuk dihet nëse do të vazhdojë të kërkojë duele të mëdha që tërheqin vëmendjen e publikut britanik, apo do të synojë një tjetër objektiv historik – të bëhet kampion bote i peshave të rënda për herë të tretë. /Reporteri.net/