×
  • Sport
  • Sport

    A do t’ia sheh sherrin Liverpool-it: Presidenti e tregon të ardhmen e Valverdes

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 12:06

    Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, nuk pranoi ta zbulojë të ardhmen e trajnerit Ernesto Valverde, mirëpo tha se do të ketë kohë për ta shqyrtuar këtë gjë, pas eliminimit të mbrëmshëm në Ligën e Kampionëve.


    Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”, transmeton Gazeta Express.

    Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

    Disfata e mbrëmshme e ka vënë në qendër të vëmendjes trajnerin Ernesto Valverde, pasi që shumë tifozë po e kërkojnë shkarkimin e tij. Kur u pyet për këtë gjë, Bartomeu tha se do të ketë kohë për ta shqyrtuar.

    “Tani nuk është koha e duhur sepse jemi shumë të nxehur për shkak të eliminimit. Tani, ne duhet ta ngremë shpirtin tonë sepse do të luajmë në një finale të Kupës së Mbretit. Do të jetë ditë e vështirë për të gjithë, por në duhet të ngrihemi”, ka thënë Bartomeu.

    “Do të ketë kohë për të reflektuar dhe për të sqaruar gjithçka. E kemi Kupën e Mbretit pas tri javëve”.

    “Vitin e kaluar, në Romë, e njëjta gjë na ndodhi. Është e vështirë ta sqarosh. Do ta diskutojmë këtë gjë brenda klubit. Tani, është koha për Kupën e Mbretit, duhet ta përmirësojnë humorin dhe t’u kërkojmë falje të gjithë tifozëve të Barcelonës”.

    Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

    Katalonasit ishin eliminuar në mënyrë po kaq tronditëse edhe vitin e kaluar, në përballjen me Romës në Ligën e Kampionëve. Barcelona e kishte fituar ndeshjen e parë, në Camp Nou, me rezultat 4:1, mirëpo ndeshjen si mysafir e humbi me rezultat 3:0. Edhe pse rezultati i përgjithshëm ishte 4:4, Roma kaloi në gjysmëfinale për shkak të epërsisë së golit të shënuar si mysafir.

    Barcelona i ka edhe dy ndeshje të tjera të La Ligës dhe shumë kohë për t’u rikuperuar në kohë për finalen e Kupës së Mbretit, ku do të përballet me Valencian më 25 maj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!