×
  • Sport
  • Sport

    A po interesohet Pogba të luaj në La Liga? Adnan Januzaj rrit dyshimet për të

    Reporteri
    14 Mars 2019 | 11:18

    Ylli i Real Sociedadit, Adnan Januzaj, e pranon se ish-bashkëlojtari i tij në Manchester United, Paul Pogba, e ka pyetur për jetën në Spanjë, duke i nxitur kështu edhe një herë spekulimet për një transferim të mundshëm të francezit në Barcelonë apo Real Madrid.


    Pogba dhe Januzaj kishin qenë së bashku te “Djajtë e kuq” nga marsi i vitit 2011 deri më gusht të vitit të 2012, kur francezi u transferua në Juventus. Januzaj e vazhdoi karrierën e tij në Manchester United deri në vitin 2017.

    Por pas dy sezonesh i huazuar, kosovari me pasaportë belge më në fund u shit në Real Sociedad, ku edhe luan tani. Kur Pogba u kthye në Manchester United, në vitin 2016, Januzaj ishte ende lojtar i “Djajve i kuq”, mirëpo ishte i huazuar në Sunderland.

    Megjithatë, Januzaj ka zbuluar se ai ende mban kontakt me mesfushorin francez, edhe pse karrierat e tyre po vazhdojnë në dy liga të ndryshme.

    “Ne e kemi njohur njëri-tjetrin që kur kemi qenë të vegjël. Kemi bërë gjithçka së bashku. Unë shkoja në shtëpinë e tij dhe ai vinte te shtëpia ime”, ka zbuluar Januzaj.

    “Ai më pyet mua rreth jetës në Spanjë dhe i pëlqen t’i shikojë të gjitha ndeshjet e mia. Edhe unë i shikoj ndeshjet e tij”.

    Pogba kishte qenë shumë afër largimit nga Manchester Unitedi gjatë verës së kaluar dhe Barcelona ishte klubi favorit për t’i siguruar shërbimet e francezit. Megjithatë, që nga emërimi i Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq”, Pogba besohet se dëshiron të qëndrojë në Old Trafford edhe më tej. /Express/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!