Lionel Messi është pranë një tjetër investimi të madh në futbollin spanjoll.
Sipas gazetës spanjolle “Marca”, ylli argjentinas ka arritur një marrëveshje paraprake për blerjen e Eldenses, klubit që garon në kategorinë e dytë të futbollit në Spanjë.
Nëse marrëveshja finalizohet, Messi do të bëhet pronar i të gjitha aksioneve të klubit, pa përfshirjen e palëve të treta. Ky do të ishte hapi i radhës në projektin e tij për të investuar në futboll, pasi në fillim të këtij viti ai bleu edhe Cornellà, klub i kategorisë së tretë në Katalonjë.
Eldense është me bazë në Elda, në provincën e Alicantes. Qyteti ndodhet në afërsi të Katalonjës, ku Messi pritet të jetojë pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist aktiv te Inter Miami.
Marrëveshja për blerjen e klubit pritet të përmbyllet gjatë ditëve të ardhshme, pasi të përfundojnë procedurat ligjore dhe kontraktuale, përfshirë verifikimin financiar të klubit. Për finalizimin e saj nevojitet edhe miratimi nga Këshilli Kombëtar i Sportit të Spanjës.
Eldense kishte ndërruar pronar edhe në vitin 2015, kur një grup ndërkombëtar investimesh me rrënjë kolumbiane, i udhëhequr nga biznesmeni Juan Carlos Trujillo, e bleu klubin nga Pascual Pérez.
Ndërkohë, gjatë muajve të fundit ishte raportuar edhe për një interesim të argjentinasit Ricardo Beni, i cili thuhej se ishte i gatshëm të paguante rreth 12 milionë euro për klubin. Megjithatë, tash në skenë është shfaqur emri i Lionel Messit.
Në aspektin sportiv, Eldense po kalon një periudhë të vështirë. Klubi shkarkoi trajnerin Claudio Barragán të hënën e kaluar, duke e bërë atë teknikun e parë të larguar nga një skuadër e kategorisë së dytë këtë sezon.
Pas katër ndeshjeve të para në kampionat, Eldense ka grumbulluar vetëm dy pikë dhe ende nuk ka emëruar trajnerin e ri.