Fenerbahçe ka njoftuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me yllin e Kosovës, Vedat Muriqin.

Në njoftimin e saj lidhur me transferimin e Vedat Muriqit, bëri të ditur se sulmuesi yll do të jetë në Stamboll më 18 qershor në ora 21:00 për të kryer kontrollet mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën.

Në deklaratën e klubit verdhekaltër thuhet: “Futbollisti Vedat Muriqi, me të cilin klubi ynë ka arritur marrëveshje në parim, do të vijë sonte në Stamboll për t’iu nënshtruar kontrollit mjekësor dhe për të përfunduar fazën e fundit të bisedimeve për transferimin. Aeroplani që transporton Vedat Muriqin do të aterojë sonte në ora 21:00 në Terminalin Ndërkombëtar të Aeroportit Sabiha Gökçen. E bëjmë këtë njoftim për opinionin publik”.

Reklamë

Muriqi do të transferohet te Fenerbahçe nga Mallorca, me një shumë që raportohet rreth 15 milionë euro.

Ylli dardan ishte edhe më parë pjesë e Fenerit, kur në sezonin 2019/20 shënonte 15 gola dhe dhuronte 5 asitime, për të kaluar më pas te Lazio, pas vetëm një sezoni.