×
  • Sport
  • Sport

    Futbollisti kosovar: Jetoj në Malajzi si Ronaldo e Messi

    Reporteri
    28 Mars 2019 | 17:10

    Liridon Krasniqi po e shijon në maksimum eksperiencën dhe jetën në Malajzi. Ai pret ta marrë pasaportën e këtij vendi dhe ta përfaqësojë Malajzinë, pasi e bëri këtë me Shqipërinë e Kosovën. E jetën që e bën në vendin aziatik e krahason me atë të Ronaldos e Messit.


    Liridon Krasniqi kishte menduar dy herë ta mbyllte para kohe karrierën si futbollist.
    Mirëpo, ai sot e ka fituar statusin e super-yllit në Malajzi.

    Tifozët kanë filluar t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emrin e ish-futbollistit të të rinjve të Bayern Munichut dhe Munich 1860.

    Krasniqi e krahason stilin e jetës së tij me atë të Cristiano Ronaldos.

    Në një intervistë për portalin gjerman “ran.de”, ai ka folur për karrierën spektakolare dhe planet e tij për të ardhmen.

    E pret nënshtetësinë e Malajzisë

    Në vitin 2015, Krasniqi kishte marrë ftesë për të luajtur në Malajzi.

    Dhe, udhëtimi në Lindjen e Largët mund të konsiderohet si një histori e suksesshme sot, pas katër vjetësh.

    Tifozët e duan aq shumë sa që kanë nisur t’i emërtojnë me emrin e tij, ata e adhurojnë Liridonin.

    27 vjeçari po planifikon ta marrë edhe nënshtetësinë e Malajzisë.

    Me këtë, ai do të mund ta veshte fanellën e Kombëtares së tretë në karrierë.

    “Unë nuk jam pishman për vendimet e mia, sepse çdo vendim ka sjell diçka. Ndoshta do t’i ndryshoja 20 për qind të vendimeve. Jo më shumë. Mbi të gjitha, gjithmonë kam shkuar në rrugën e duhur. Sa i përket karrierës, transferimi në Azi ishte vendimi më i mirë”, tregon fillimisht historinë e tij Krasniqi.

    “Unë nuk kam menduar dy herë për të ardhur këtu dhe nuk kam gabuar. Sot ndihem si në shtëpi. Edhe pse është larg vendit tim, gjithçka më duket OK”, shton ai.

    Krasniqi e ka përshkruar veten si një tip luftarak që nuk befasohet kurrë.

    Ai shton se njerëzit duan që ai të bie, të dështojë, por që nuk e ka ndërmend t’ua plotësojë këtë dëshirë.

    Ai e kishte nisur karrierën tek të rinjtë e Bayern Munichut e Munich 1860.

    Liridoni gjithashtu ka treguar se kur ishte 18 vjeç e kishte fituar një kontratë profesionale te Slavia Praga. Atje nuk e kishin paguar dhe më pas ishte kthyer në shtëpi.

    FIFA e kishte suspenduar dy vjet për shkak të këtyre problemeve me kontratë, pasi ishte larguar pa e përfunduar atë. Këtë e konsideron si periudhën më të vështirë të jetës.

    Ai kishte filluar të bënte punë të tjera derisa nuk kishte të drejt loje. Por, ndërkohë vazhdonte të ushtronte.

    “Unë gjithmonë e dija se çka doja. Thuhet se talenti nuk është gjithçka në futboll. Duhet të bëhet një miksim. Për të pasur sukses si futbollist, unë kam udhëtuar deri në fund të botës. Kur e mora ftesën për Malajzi thash: ‘Mik, jam tashmë atje’”, shpjegon Krasniqi.

    Në Malajzi, gjashtë fëmijë e kanë marrë emrin Liridon

    Krasniqi e ka treguar edhe një rast aspak të veçantë. Atë e duan aq shumë në Malajzi sa që e ndalin në rrugë dhe i kërkojnë të bëjnë fotografi dhe të japë autografe. Gjithashtu, edhe fëmijët kanë nisur t’i emërtojnë si ia.

    “Ky është një gëzim i madh. Synim imi është t’i inspiroj njerëzit. Me talentin tim. Në parim, e kam bërë këtë. Kam ecur për katër vjet si dikush ‘pa emër’, si dikush që nuk e njeh askush. Madje, kam bërë edhe stërvitje provuese. E ndërkohë, gjashtë fëmijë e kanë marrë emrin tim. Kur hyj në këtë vend, unë e di: Këti jam një yll”, tregon Liridoni.

    “Unë do ta publikoj me ndonjë libër historinë timë, herët ose vonë. Unë dua që njerëzit ta dëgjojnë këtë histori, posaçërisht gjermanët. Sepse jam gjerman. Jam shqiptar, por jam rritur në Gjermani. Unë i kam ndjekur hapat e fëmijëve gjermanë. Jam rritur me gjuhën gjermane. Për këtë Gjermania është vendi im”, shton Krasniqi, i cili dëshiron që në Gjermani ta njohin më shumë dhe të dinë më shumë për të pasi vërtet e ka një histori të pazakontë.

    Madje, tregon se në Malajzi mban edhe ditar, të cilin e freskon çdo javë.

    Malajzia, Kombëtarja e tretë

    Liridon Krasniqi pritet të pajiset vitin tjetër me pasaportë malajziase pas qëndrimit 5 vjeçar në këtë vend.

    Për të, të luajë për Kombëtaren e Malajzisë do të thotë se ai do ta provojë për herë të tretë një Kombëtare.

    “Është një histori tjetër. Nëse i bashkohem Malajzisë, do të luaj për Kombëtaren e tretë në karrierë. Kam zhvilluar ndeshje miqësore për Shqipërinë dhe Kosovën. Tash do ta pranoj kombësinë malajziase dhe ndoshta do të luaj për këtë Kombëtare”, shprehet tutje ai.
    Krasniqi tregon gjithashtu se ka ende kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës, por që më shumë është i fokusuar tek Malajzia.

    “Po, kam ende kontakte me FFK-në. Mirëpo, pasaporta malajziase po afron. Nga janari 2020 mund të luaj për këtë ekip”, shton Krasniqi, i cili e pranon se kurrë nuk kishte ëndërruar të luajë për Gjermaninë.

    Si Ronaldo e Messi

    Në Malajzi, atë e konsiderojnë mbret. Prandaj, Krasniqi nuk e ka ndërmend të lëviz nga ky vend për një kohë të gjatë.

    “Më duhet ta them se këtu në Malajzi jam yll tashmë. Unë jetoj këtu si Ronaldo apo Messi. Unë nuk jam Ronaldo, por e bëj stilin e jetës së tij. Këtu jam i adhuruar. Nëse do të shkoja për të luajtur në Gjermani nuk do më konsideronin dhe trajtonin njëjtë, kushdo që je. Unë jam mirë këtu ku jam, më është dashur shumë punë dhe kohë për t’u bërë yll”, përfundoi Krasniqi. /Express/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!