×
  • Sport
  • Sport

    Huliganët maqedonas me kore fashiste kundër shqiptarëve në stadium

    Reporteri
    15 Prill 2019 | 16:33

    Tifo-grupi maqedonas, “Komiti”, e ka shfryrë sërish urrejtjen ndaj shqiptarëve. Thirrjet e tyre fashiste janë përsëritur në ndeshjen Vardar-Shkëndija e Tetovës, që u zhvillua në lagjen Maxhari të Shkupit, në kuadrin e javës së 28-të të Superiores së Maqedonisë Veriore në futboll.


    Nga fillimi i ndeshjes, huliganët maqedonas të Vardarit kanë nisur të lëshojnë në kor ofendime fashiste, duke mos kursyer asnjë fjalë të keqe për shqiptarët. Ata u bënë më të zëshëm në momentin kur spikeri zyrtar kërkoi që të ndalohen fyerjet mbi baza kombëtariste. Trajneri i Vardarit, Aleksandar Vasoski, e pranon se fyerjet raciste të “Komitëve” ndaj shqiptarëve e dëmtojnë futbollin maqedonas dhe nuk duhet të dëgjohen nëpër stadiume.

    Megjithatë, shton se ndihet i pafuqishëm për ta ndryshuar këtë situatë: “Unë si petagog dhe si trajner do të mundohem që ta çrrënjosim nacionalizmin nga stadiumet. Çfarë të them, unë jam i pari kundër tyre. Duhet të merren iniciativa dhe të mbahen mbledhje në nivele më të larta, që kësi gjërash të mos ndodhin. E di se kjo është një çështje mjaft e ndjeshme, sidomos për gjendjen momentale tek ne”.

    Ulërimat antishqiptare të huliganëve të tërbuar maqedonas në një moment të ndeshjes detyruan edhe arbitrin kryesor që ta ndërpriste lojën për disa minuta. Ata nuk janë mjaftuar vetëm me thirrjet fashiste. Të pakënaqur nga rezultati, nga fundi i ndeshjes, “Komitët” kanë hedhur mjete të ndryshme në fushë, duke goditur edhe mbrojtësin e Shkëndijës, Mevlan Murati.

    Nga policia maqedonase nuk janë marrë ende masa kundër këtyre huliganëve maqedonas, që e shfrynë vrerin e tyre në stadiume futbolli, sërish. Ndërkohë, nga komisionet disiplinore të Federatës së Futbollit të Maqedonisë thuhet se do të nisë hetimi ndaj klubit të Vardarit për këtë rast.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!