Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, thotë se nuk dëshiron vetëm të fitojë ndaj Kristian Prengës më 25 korrik, por edhe të tregojë se mbetet një nga goditësit më të rrezikshëm në boks.

Duke folur për DAZN Boxing, Joshua tha se synimi i tij është ta lëndojë kundërshtarin dhe t’i kujtojë të gjithëve forcën e goditjeve të tij.

“Dua ta lëndoj. Nuk ka të bëjë me të personalisht. Ka të bëjë me mua. Besoj te vetja dhe e di se mund ta bëj. Dua t’ia provoj vetes se jam ende një makinë shkatërruese. Kam dinamit në të dyja duart dhe dua të godas me qëllim për ta dëmtuar,” u shpreh Joshua.

Reklamë

Ai sqaroi se këto fjalë nuk janë personale ndaj Prengës.

“Duhet ta ndalosh kundërshtarin. Duhet të kesh mentalitetin e duhur, të dish si ta bësh dhe të besosh plotësisht te vetja,” tha ai.

36-vjeçari pranoi se mbi këtë ndeshje ka presion, jo vetëm për shkak të Prengës, por edhe sepse dëshiron të sigurojë një duel të madh me Tyson Fury.

“Dua të bëj një paraqitje të mirë. Dua të fitoj. Dua të luftoj me Fury. Kam një detyrim ndaj tifozëve të mi,” tha Joshua.

Ai shtoi se e ka pasur të vështirë të mos mendojë për atë që mund të vijë pas kësaj ndeshjeje.

Reklamë

“Nuk është vetëm Prenga. Është edhe Fury, sepse unë i dua të gjitha. Kam folur për titullin e padiskutueshëm të botës, për Prengën dhe për Furyn. I dua të gjitha,” u shpreh ai.

Joshua do të përballet me Kristian Prengën më 25 korrik në Arabinë Saudite. Kjo ndeshje shihet si një hap përgatitor për një duel të mundshëm me Tyson Fury më vonë gjatë këtij viti.

Një fitore bindëse ndaj Prengës do ta mbante Joshua në rrugën drejt përballjes me Furyn, por ai e bëri të qartë se synimi i tij është të japë një mesazh shumë më të fortë sesa thjesht të fitojë ndeshjen.

/Reporteri.net/

Reklamë