Pjesa e dytë e ndeshjes mes Kanadasë dhe Bosnje e Hercegovinës ka dhuruar ritëm të lartë dhe raste të shumta shënimi, me kanadezët që kanë ushtruar presion të vazhdueshëm në kërkim të golit të barazimit.
Momenti i parë i diskutueshëm erdhi në minutën e 48-të, kur portieri i Bosnjës grushtoi topin në zonë dhe më pas pati kontakt me një lojtar të Kanadasë. Megjithatë, gjyqtari akordoi faull në favor të boshnjakëve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kanadaja iu afrua shumë golit në minutën e 53-të. Laryea krijoi një rast ideal, por Kolasinac ndërhyri në momentin vendimtar duke larguar topin mbi vijën fatale, ndërsa më pas sfera u përplas edhe në traversë.
Bosnja u kundërpërgjigj menjëherë me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 54-t, kur Demirovic doli i vetëm përballë portierit, por nuk arriti ta mposhtë atë.
Në vazhdim, Kanadaja vazhdoi të kërkojë me ngulm barazimin. Eustaquio provoi nga distanca në minutën e 65-të, por pa sukses, ndërsa dy minuta më vonë Katic shpëtoi Bosnjën duke larguar me kokë një top mbi vijën e portës.
Deri në minutën e 68-të, loja është karakterizuar nga aksione të shpejta në të dyja anët e fushës, me të dyja kombëtaret që po kërkojnë golin në një duel shumë të hapur dhe emocionues.