Me vetëm katër ndeshje të mbetura në La Liga, sezoni i Real Madridit po i afrohet fundit me shumë zhgënjime. Eliminimi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe distanca në garën për titull kanë lënë një shije të hidhur në kampin madrilen, ndërsa vëmendja tashmë po zhvendoset drejt verës dhe Kupës së Botës që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Turneu i madh ndërkombëtar pritet të jetë një mundësi për shumë lojtarë të shpëtojnë sezonin me paraqitje të forta në nivel kombëtaresh. Megjithatë, jo të gjithë yjet e Madridit e kanë të sigurt pjesëmarrjen.
Disa lojtarë si Dani Carvajal, po përballen me një sezon të vështirë të shoqëruar nga forma e dobët dhe dëmtimet. Kapiteni i skuadrës u la jashtë grumbullimeve të fundit të Spanjës, edhe pse trajneri e ka vlerësuar si figurë të rëndësishme në dhomën e zhveshjes.
Po ashtu, Trent Alexander-Arnold ka pasur një fillim të luhatshëm në Madrid dhe nuk është preferuar nga përzgjedhësi i Anglisë, duke e vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në turne.
Mesfushori Eduardo Camavinga po kalon një sezon të vështirë me pak minuta dhe konkurrencë të fortë, gjë që mund ta rrezikojë edhe vendin e tij në përfaqësuesen e Francës.
Ndërkohë, talenti i ri Franco Mastantuono po përjeton një rënie të formës pas një fillimi premtues, duke vënë në pikëpyetje përfshirjen e tij në listën finale të Argjentinës.
Me shumë lojtarë ende në garë për një vend në turne, muajt e fundit të sezonit pritet të jenë vendimtarë jo vetëm për të ardhmen e tyre në klub, por edhe për ëndrrën e Kupës së Botës.
Real Madridi ndeshjen e ardhshme e luan kundër Barcelonës në El Classico më 10 maj, nga ora 21:00.