×
  • Sport
  • Sport

    Këto janë 5 gabimet e Valverdes që i bëri në Anfield

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 16:56

    Pas ndeshjeve, sidomos në të nxehtë, analizat shterruese nuk janë të praktikueshme në futboll. Megjithatë, në rastin e Ernesto Valverde, referuar disfatës së rëndë të mbrëmshme në “Anfield”, kjo punë duket e lehtë.


    Nuk bën mëkat nëse ia drejton gishtin paraprakisht si fajtor për katastrofën e Barcelonës, që nuk ishte në gjendje të kualifikohej në finale të Champions-it, edhe pse me avantazhin 3-0 të gjysmëfinales së parë.

    Në situata të tilla, trajneri zakonisht është një nga “viktimat” kryesore, objektiv i lehtë për kritikat, por në këtë rast Valverde ka maksimumin e përgjegjësive. Kështu shkruan “Marca”, e cila bën analizën e saj, duke evidentuar pesë gabimet e pafalshme të trajnerit të skuadrës katalanase. Ajo nuk harron gabimet individuale në dy gola të Jordi Alba, reagimin e dobët të Ter Stegen në njërin prej tyre.

    Nuk lë pa kujtuar edhe “zhdukjen” e Leo Messit në momentin më të vështirë, konfizionin e Suarez dhe detaje të tjera të panumërta, por ndalet në “gafat” që mund t’i atribuohen Valverde. Sepse është trajneri, ai që në këto raste duhet të kërkojë zgjidhje. “Txingurri”, ose nuk e bëri këtë, ose e bëri me vonesë dhe keq. Këto janë pesë gabimet e pafalshme, që kontribuan në katastrofën katalanase të “Anfield”.

    1- Formacioni startues, si në ndeshjen e parë
    Të gjithë ranë dakord se 3-0 ishte një rezultat i rremë, çorientues, sepse Liverpool dominoi me qartësi dhe e tronditi Barcelonën në shumë faza të lojës. Qasja taktike e Klopp, pavarësisht disavantazhit të konsiderueshëm rezultativ, ishte e drejtë në “Camp Nou”. Fati e ndëshkoi. Edhe në “Anfield”, Liverpool luajti njësoj. Ndoshta pati disa ndryshime të diktuara në formacionin startues (Salah dhe Firmino), por loja e vendësve ishte sulmuese dhe asfiksuese për miqtë.

    2 – Coutinho dhe shansi i dytë radhazi
    Është e vërtetë se Dembélé nuk ishte gati për të luajtur dhe se Malcom nuk duket se e ka merituar të jetë startues te Barça. Sidoqoftë, pak e kuptojmë pse Coutinho, aq më shumë pas performancës së tij në gjysmëfinalen e parë, e nisi ndeshjen e mbrëmshme si titullar. Qëndrimi, performanca e tij ishte e njëjtë, ose edhe më e keqe. Meritokracia nuk është në listën e prioriteteve të “Txingurri”.

    3 – Zëvendësimet nuk ndryshojnë
    Është interesante që në dy ndeshje radhazi, një ekip zbret në fushë me të njëjtin formacion dhe bën të njëjtin zëvendësim të parë. Aq më shumë kur ky zëvendësim, Semedo për Coutinho, kishte nënkuptuar tashmë një përmirësim të dukshëm në gjysmëfinalen e parë. Arthur ishte një dëshpërim në fushë, ndërsa Malcom u aktivizua vonë.

    4 – Nën presion, Arthur ishte vetëm 20 minuta në fushë
    “Ai kishte nënshkruar për ndeshje si kjo”, – ishte thënë, dhe me të drejtë, nga Arturo Vidal. Asgjë për ta qortuar kilianin, sigurisht. Megjithatë, ka një fakt të padiskutueshëm: Barcelona u mbyt nga presioni ofensiv i Liverpool-it, në “Camp Nou” dhe “Anfield”. Arthur u hodh i freskët fizikisht, por e humbi topin, u detyrua të fshihej në zonën e tij, sepse çdo dalje përpara i ishte ndërprerë, parashikohej nga “Reds”. Në këtë skenar, Arthur dha shumë pak, edhe pse ka nënshkruar për ta treguar veten në të tilla lojëra. Ai nuk luajti në gjysmëfinalen e parë, ndërsa Valverde priti 74 minuta për ta hedhur brazilianin në fushë, në kthim. Arthur është lojtari më i besueshëm me topin te Barça në këtë sezon. Më shumë se Rakitic, më shumë se Busquets.

    5 – “Të sakrifikuarit” janë gjithmonë të njëjtit
    Në minutën e 74-t, Valverde guxoi të nxirrte nga fusha Vidal dhe të aktivizonte Arthur. Ai “sakrifikoi” kilenin si gjithmonë, edhe pse ishte lojtari më me ndikim te Barça, në tapetin e “Anfield”. I vetmi nga tre mesfushorët, që nuk kishte karton të verdhë, që mundohej të ngrinte “digën” për ofensivën totale të vendësve. Busquets dhe Rakitic, që nuk ishin fare në lartësinë e tij, vazhduan të qëndronin në fushë. Si gjithmonë. “Të sakrifikuarit”, kur vijnë zëvendësuesit nga stoli, janë gjithmonë të njëjtë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!