Boksieri shqiptar Kristian Prenga (20 fitore, 1 humbje, 20 me nokaut) beson se Anthony Joshua (29 fitore, 4 humbje, 26 me nokaut) ka bërë gabimin më të madh të karrierës duke pranuar të përballet me të.

Në prag të duelit të tyre në peshën e rëndë, që do të zhvillohet më 25 korrik në Riad, Prenga i tha gazetarit të sportit, James Stillerman, se synon të shkaktojë befasinë e madhe duke e mposhtur Joshuan me nokaut.

Prenga është i vendosur të tronditë botën e boksit duke mposhtur ish-kampionin e botës në peshën e rëndë, Anthony “AJ” Joshua, favorit i madh i kësaj përballjeje, në duelin që do të zhvillohet më 25 korrik në Riad të Arabisë Saudite.

Reklamë

Prenga vjen në këtë përballje me 16 fitore radhazi, të gjitha me nokaut. Humbja e tij e vetme daton në vitin 2017. Gjatë karrierës ka boksuar në vende të ndryshme si Gjermania, Holanda, Kanadaja, Kolumbia dhe Shtetet e Bashkuara, kryesisht në New Jersey, ku jeton aktualisht. Shtatë nga nëntë ndeshjet e tij të fundit janë zhvilluar pikërisht atje.

Boksieri 35-vjeçar shqiptar, që bokson me gardë të djathtë, fitoi titullin vakant të peshës së rëndë të NABA-s në mars 2023, pasi mposhti Samuel Crossed me nokaut në raundin e tretë. Në tetor 2024, ai triumfoi edhe ndaj veteranit Joey Dawejko me nokaut teknik në raundin e pestë. Megjithatë, deri tani Prenga nuk kishte arritur të siguronte një përballje të madhe. Situata ndryshoi pasi në shkurt të këtij viti nënshkroi me menaxherin e tij të ri, avokatin me bazë në New York, Keith Sullivan. Vetëm pak kohë më vonë, ai siguroi ndeshjen që kishte pritur gjatë gjithë karrierës së tij 10-vjeçare – përballjen me Anthony Joshua, raporton Gazeta Online Reporteri.net

Joshua, nga ana tjetër, e mbylli ndeshjen e tij të fundit me një fitore me nokaut ndaj Jake Paul në raundin e gjashtë, në muajin dhjetor. Ai ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit. Humbja e vetme gjatë kësaj periudhe erdhi në shtator 2024, kur u mposht nga bashkëkombësi i tij anglez, Daniel Dubois, në një duel për titullin IBF të peshës së rëndë.

36-vjeçari britanik, i cili bokson gjithashtu me gardë të djathtë, renditet në dhjetëshen më të mirë të të katër organizatave kryesore të boksit profesionist: i treti në WBO, i katërti në WBA dhe i pesti në WBC dhe IBF. Titullin e tij të parë botëror e fitoi në vitin 2016, kur nokautoi Charles Martin në raundin e dytë. Më pas e mbrojti gjashtë herë titullin, derisa u mposht me nokaut në raundin e shtatë nga Andy Ruiz në vitin 2019. Joshua e fitoi revanshin ndaj Ruiz dhe mbrojti edhe një herë titullin, përpara se ish-kampioni i pamposhtur dhe kampioni i padiskutueshëm Oleksandr Usyk ta mposhtte në dy përballje radhazi për titujt botërorë.

Edhe pse Prenga po përballet me sfidën më të madhe të karrierës kundër Joshua-s, i cili ka zhvilluar ndeshje me kundërshtarë shumë më cilësorë, shqiptari është i bindur se fuqia e goditjeve të tij, veçanërisht e djathta, do ta ndihmojë të dalë fitues. Joshua ka hasur vështirësi edhe më parë ndaj boksierëve me goditje të forta.

Reklamë

Ish-kampioni i dyfishtë i Evropës në kikboks ka një rekord perfekt: të 20 fitoret e tij kanë ardhur me nokaut. Madje, 17 prej tyre janë mbyllur brenda tre raundeve të para. Shtatë kundërshtarë i ka nokautuar që në raundin e parë, përfshirë edhe tre ndeshjet e tij më të fundit. Në përballjen e fundit, të zhvilluar në shkurt, ai e mposhti Joe Jones me nokaut që në raundin e parë.

Pavarësisht angazhimeve intensive në kampin stërvitor, Prenga gjeti kohë për të folur rreth ndeshjes me Anthony Joshua, rëndësisë që do të kishte një fitore ndaj tij, eksperiencës së boksimit në Arabinë Saudite, fuqisë së tij nokautuese dhe shumë temave të tjera.

James Stillerman: Duke qenë se kjo është ndeshja më e madhe e karrierës suaj, a keni ndryshuar diçka në përgatitjet për këtë duel?

Kristian Prenga: Po stërvitem edhe më fort se zakonisht, së bashku me trajnerin tim prej shumë vitesh, Muhammad Salaam, në palestrën e tij në Edgewater, New Jersey. Fitorja me nokaut ndaj Joshuas do të më afronte me ëndrrën time më të madhe: të bëhem shqiptari i parë kampion bote në peshën e rëndë.

Reklamë

James Stillerman: Çfarë do të thotë për ju të përfaqësoni Shqipërinë në një skenë kaq të madhe ndërkombëtare?

Kristian Prenga: Të përfaqësoj vendin tim në një ndeshje të këtij niveli është një mundësi për t’i treguar botës se sa të fortë janë shqiptarët. Kam pasur mbështetjen e tifozëve të mi për shumë vite, si në Shqipëri ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Kur të ngjitem në ring përballë Joshuas, do ta ndiej se kam gjithë Shqipërinë pas meje.

James Stillerman: Si e parashikoni të zhvillohet ndeshja juaj me Anthony Joshua?

Kristian Prenga: Ai ka bërë një gabim të madh që pranoi të ndeshet me mua dhe këtë do ta kuptojë në ring. Pas nokautit ndaj Joshuas, do të jem unë ai që do t’i ngrihet krahu si fitues.

Reklamë

James Stillerman: Çfarë duhet të bëni për ta mposhtur Joshuan?

Kristian Prenga: Kam fuqi në goditje dhe do ta fitoj këtë ndeshje. Do ta nxjerr nga zona e tij e rehatisë dhe më 25 korrik do të dal fitues.

James Stillerman: Çfarë do të thoshte për ju një fitore e tillë, që do të konsiderohej një nga surprizat më të mëdha?

Kristian Prenga: Do të thoshte gjithçka për mua. Pikërisht për këtë kam punuar kaq shumë dhe kam bërë kaq shumë sakrifica gjatë gjithë këtyre viteve.

Reklamë

James Stillerman: Jeni i emocionuar që do të luftoni në Arabinë Saudite?

Kristian Prenga: Shumica e ndeshjeve më të mëdha të boksit zhvillohen tani në Arabinë Saudite dhe është nder për mua të përballem me Joshuan atje. Për Joshuan kjo do të jetë hera e pestë që bokson në Arabinë Saudite, ndërsa për mua e para.

James Stillerman: Cili është sekreti i fuqisë suaj nokautuese?

Kristian Prenga: Godas fort dhe nuk kërkoj kurrë rrugë të shkurtra, as në ring dhe as jashtë tij. Kam etikë të fortë pune dhe jam shumë i disiplinuar.

James Stillerman: Si e vlerësoni paraqitjen tuaj në ndeshjen e fundit kundër Joe Jones?

Kristian Prenga: Bëra detyrën time dhe mbajta gjallë ëndrrën time në boks.

James Stillerman: Keni ndonjë mesazh për tifozët tuaj?

Kristian Prenga: Faleminderit për mbështetjen tuaj. Vazhdoni të më ndiqni dhe do të më shihni duke tronditur botën kur ta mposht Anthony Joshuan me nokaut.

/Reporteri.net/