Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pritur sot në zyrë Donjeta Sadikun pas triumfit të saj në Lojërat Mesdhetare „Taranto 2026“, ku ka fituar medaljen e artë në boks.
Gjatë takimit, Sadiku ka thënë se medaljen e artë ia ka dedikuar Kosovës, ndërsa është falënderuar për punën dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në sportin e boksit.
Fitorja e saj në Lojërat Mesdhetare është cilësuar si historike për sportin kosovar.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për medaljet e Lojërave Mesdhetare „Prishtina 2030“.
„Krenar edhe me boksin e Kosovës përveçse me xhudon. Faleminderit për përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare sportive“, thuhet në deklaratë.
Postimi i plotë:
Nga Taranto, Donjetën e mirëprita sot në zyrën time.
Medaljen e artë më tha se ia ka dedikuar Kosovës, e unë përzemërsisht e falënderova për punën e pandalshme dhe angazhimin e pashoq në sportin e boksit.
Fitoren në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 do ta mbajmë mend gjatë, sepse është historike.
Përderisa Donjeta, së bashku me trajneren e saj, Marjola Sallauka, menjëherë po përgatiten për Kampionatin Evropian që mbahet muajin e ardhshëm, bashkërisht diskutuam edhe për medaljet e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Krenar edhe me boksin e Kosovës përveçse me xhudon. Faleminderit për përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare sportive.