Administrata e Presidentit Trump ka konfirmuar zyrtarisht se arbitrit Omar Abdulkadir Artan iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye sigurie.
Sipas tyre, zyrtarët e doganës dhe mbrojtjes kufitare zbuluan informacione që e lidhnin arbitrin me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste.
“Pas një kontrolli më të hollësishëm nga CBP (Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së), u zbuluan informacione komprometuese, duke përfshirë lidhjet me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste, çka e bën udhëtarin të papërshtatshëm për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara sipas Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA).
Udhëtarit iu refuzua hyrja dhe iu dhanë formularët e emigracionit që specifikojnë nenin e ligjit të përdorur për të kryer një dëbim të përshpejtuar sipas nenit 8235 të INA-s. Administrata e Presidentit Trump nuk do të lejojë asnjë kërcënim të sigurisë të hyjë në vendin tonë, pikë”, thuhet në reagimin e Shtëpisë së Bardhë për “The Athletic”.
Artan ishte përzgjedhur nga FIFA si një nga 52 arbitrat e ndeshjeve për Kupën e Botës 2026. Ai kishte udhëtuar drejt Miami-t për t’u bërë pjesë e një kampi stërvitor përpara fillimit të turneut. Arbitri deklaroi se zotëronte të gjithë dokumentacionin, akreditimin e duhur dhe vizën përpara nisjes së tij. Megjithatë, ai u mor në pyetje për më shumë se 11 orë në aeroport përpara se të dëbohej drejt Stambollit.