Jose Mourinho e ka vendosur një qendërmbrojtës në krye të listës së dëshirave te Real Madridi, ndërsa klubi po përgatitet për një nga revolucionet më të mëdha në skuadër në vitet e fundit.

“Special One” pritet të konfirmohet si trajneri i ri i Real Madridit pasi Florentino Perezi u rizgjodh president të klubit të dielën, duke mposhtur rivalin e tij Enrique Riquelme.

Mourinho do të përballet me një detyrë të vështirë.

Reklamë

Në fushë, paraqitjet e dobëta kanë sjellë një tjetër sezon pa trofe, ndërsa jashtë saj raportohet për përçarje dhe konflikte në dhomën e zhveshjes.

Pas një sezoni zhgënjyes, pritet që madrilenët të bëjnë lëvizje të mëdha në merkato, ndërsa sipas mediumit spanjoll “Defensa Central”, Mourinho tashmë ka nisur planifikimin për sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimit, tekniku portugez ka vendosur në krye të listës së transferimeve mbrojtësin e Tottenham Hotspurit, Micky van de Ven, të cilin e konsideron si lojtarin që “i plotëson të gjitha kriteret”.

Një burim pranë kampit të futbollistit i tha “The Mirror”: “Micky i plotëson të gjitha kriteret për Mourinhon. Real Madridi është gati të hidhet në sulm për të”.

Megjithatë, transferimi i holandezit nuk pritet të jetë i lirë.

Reklamë

Sipas “Marca”, Tottenhami mund të kërkojë mbi 75 milionë funte për kartonin e tij, ndërsa raportohet se lojtari është i hapur për një largim gjatë kësaj vere.

Pavarësisht këtyre spekulimeve, Van de Ven dha sinjale se e sheh të ardhmen e tij ende te Tottenhami pas fitores ndaj Evertonit në javën e fundit të sezonit.

I pyetur nëse është optimist për përmirësimin e klubit, ai u përgjigj: “Jam shumë i bindur. Mendoj se tani kemi njerëzit e duhur këtu. Menaxherin e duhur”.

Ai shtoi: “Jam i bindur se mund të bëjmë më shumë sezonin e ardhshëm, sepse siç e thatë edhe ju, dy vite radhazi kemi përfunduar në vendin e 17-të dhe kjo është e papranueshme, sidomos për një klub si Spurs. Gjërat duhet të ndryshojnë dhe do ta shohim që kjo do të ndodhë. Ne do të bëjmë gjithçka për ta përmirësuar situatën dhe jam i bindur se do të jemi shumë më mirë sesa në dy sezonet e fundit”.

Reklamë

Van de Ven ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Tottenhamit që nga transferimi i tij nga VfL Wolfsburg në vitin 2023 për rreth 34.5 milionë funte.

Ai ka ende tre vite kontratë me klubin londinez, gjë që i jep Tottenhamit një pozitë të fortë në negociata gjatë merkatos së verës.