Anthony Joshua e ka ftuar Tyson Furyn që të përballet sy më sy me të pas rikthimit të tij në ring muajin e ardhshëm.
Joshua dhe Fury tashmë kanë nënshkruar marrëveshjen për t’u ndeshur mes vete, por ende nuk është bërë i ditur as data dhe as vendi i meçit. Fillimisht, promotori Eddie Hearn kishte deklaruar se dueli do të zhvillohej në Mbretërinë e Bashkuar, por tani raportohet se SHBA-ja është opsioni kryesor, me Las Vegasin që po përmendet si destinacion i mundshëm për këtë përballje të madhe britanike, e cila pritet prej gati 10 vitesh.
Në prill, pas fitores së tij ndaj Arslanbek Makhmudov, Fury e ftoi Joshuan të ngjitej në ring për një ballafaqim të drejtpërdrejtë, por Joshua refuzoi, duke thënë se këtë do ta bënte vetëm pasi meçi të ishte zyrtarizuar.
Joshua do të rikthehet në ring muajin e ardhshëm për t’u përballur me Kristian Prengën dhe tani duket i gatshëm të takohet sy më sy me rivalin e tij dhe ish-kampionin e botës në peshat e rënda.
“Kur e sheh nga ky këndvështrim, ai do të ishte një moment vërtet ikonik”, tha Joshua për Matchroom, ndërsa po shikonte videon ku Fury e ftonte të hynte në ring.
“Tani më duhet të hyj në ring, ta kryej punën dhe ta siguroj fitoren. Eja në Arabinë Saudite më 25 korrik dhe do të të mirëpres në ring. Nëse e ke seriozisht, hajde dhe mund të bisedojmë atëherë”, shtoi Joshua.
“Ma kanë vënë përpara mundësinë duke më thënë se, nëse e mposht Prengën, mund të luftoj me Tyson Furyn. Prandaj jam plotësisht i fokusuar që ta kryej punën dhe të fitoj, sepse ai është meçi që e kam ëndërruar. Është një mundësi e madhe për mua dhe ky është një vit shumë i rëndësishëm. Tani që e di se marrëveshja për meçin është përfunduar dhe vulosur, ai është më se i mirëpritur të hyjë në ring dhe do të jetë pengesa ime e fundit për vitin 2026.”
Joshua do të luftojë për herë të parë që nga aksidenti fatal me makinë ku u përfshi në dhjetor të vitit të kaluar. Gjatë këtij muajit ai tha:
“Çfarë më jep boksi? Më jep mundësinë për të punuar. Unë jam një profesionist, kjo është një kontratë, kjo është puna ime, kështu që kam mundësinë të bëj punën time.
“Duhet t’i paraqesësh një boksieri një plan të qartë dhe t’i tregosh se cili është hapi i parë, i dyti dhe i treti. Kjo të jep qëllim dhe fokus. Unë e di se si duket viti im. Më jepni mundësinë të luftoj me Prengën, më jepni mundësinë të luftoj me Furyn, më jepni mundësinë të luftoj për titullin kampion.
“Nuk bëhet fjalë për të nënvlerësuar apo për të parë përtej ndonjë kundërshtari. Bëhet fjalë për të ditur qëllimin tënd, për të ditur hapat që ke përpara dhe për t’u ngjitur shkallë-shkallë drejt majës. Unë kam një objektiv të qartë, e di se për çfarë bëhet fjalë këtë vit dhe e di sa i vështirë do të jetë. Kam stërvitur fort, kjo është jeta ime.”
/The Sun/Reporteri.net/