×
  • Sport
  • Sport

    Presidenti i UEFA-s tregon a do të luajë Kosova pa tifozë me Malin e Zi

    Reporteri
    03 Prill 2019 | 12:26

    Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i ka treguar ndëshkimet e mundshme për malaziasit, pas incidentit në ndeshjen kundër Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

    Pas thirrjeve raciste që malaziasit i kishin bërë në drejtim të futbollistëve me ngjyrë të Anglisë, ishte folur për mundësinë që ndeshja e radhës për Malin e Zi, kundër Kosovës, të zhvillohet pa tifozë në stadium.

    Gjatë ndeshjes mes Malit të Zi dhe Anglisë, e cila përfundoi me rezultat 5:1 për anglezët, paraqitjet e dy skuadrave mbetën nën hijen e thirrjeve raciste nga tifozët malazias në drejtim të futbollistëve me ngjyrë të ekipit të Anglisë.

    Callun Hudson-Odoi, Raheem Sterling dhe Danny Rose ishin caku i këtyre thirrjeve të tifozëve malazias dhe pas ndeshjes ata kërkuan që UEFA t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për t’i ndëshkuar malaziasit, transmeton Express.

    Nëse UEFA vendos ta ndëshkojë Malin e Zi me ndeshje pa tifozë në stadium, atëherë ky ndëshkim do ta prekte edhe ekipin kombëtar të Kosovës, pasi që ndeshja e radhës për malaziasit do të jetë kundër “Dardanëve”.

    Edhe vetë Ceferin ka bërë të ditur se mundësia më e madhe është që të ketë pezullim të tifozëve apo ndëshkim me para. Ndërsa, nëse incidentet e tilla vazhdojnë, atëherë ekipi kombëtar mund të largohet nga gara.

    “Nuk shoh ndonjë ndëshkim më të rëndë sesa pezullimin e tifozëve, zhvillimin e ndeshjeve prapa dyerve të mbyllura për tifozë, që ka ndodhur disa herë në Kroaci, dhe ndëshkimet me para”.

    “Nëse kjo gjë përsëritet vazhdimisht, atëherë ne mund ta largojmë një klub apo një ekip kombëtar nga gara. Çdo gjë është e mundur. Por, ky do të jetë opsioni i fundit”.

    Ndeshja mes Malit të Zi dhe Kosovës do të zhvillohet më 7 qershor në Podgoricë, në kuadër të Grupit A për kualifikim në EURO 2020. Për momentin, Anglia e zë vendin e parë në tabelën e Grupit A, Kosova në vendin e tretë, ndërsa Mali i Zi në vendin e katërt. Në këtë grup garojnë edhe Bullgaria dhe Republika Çeke.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!