Një video është publikuar në rrjetet sociale, ku shihet Felix Savon, tre herë kampion olimpik në boks, duke kontrolluar një enë dhe duke thënë se po mbledh ushqim.
Pamjet u shpërndanë nga boksieri profesionist kubanez Gustavo Trujillo, ndërsa ende nuk dihet se ku dhe kur janë regjistruar.
Burri që po e filmonte nga makina e pyet: “Kampion, çfarë po ndodh? Savon, çfarë po bën, mik?”, ndërsa ish-boksieri përgjigjet: “Po mbledh ushqim, diçka për të ngrënë”.
Sipas portalit Cuba Noticias 360, pasi pamjet u bënë virale, komediani kubanez Limay Blanco i dhuroi Savonit një pako me ushqime dhe një Bibël, të dërguara nga kisha e tij, Cristo Cambia Vidas.
“Çfarëdo që të ketë bërë ai person, ndihmojeni dhe vazhdoni përpara”, tha Blanco.
El boxeador legendario cubano Félix Savón pasó de medallista olímpico a recogedor de comida en las calles para poder comer. Ese es el comunismo cubano del cual me resingo en la madre de todo el que lo quiere para Estados Unidos y defiende el cubano. #cuba https://t.co/FrpOArj1W5
— Willie Suarez (@boxeocubanocom) October 12, 2026
Savon është një nga emrat më të mëdhenj në historinë e boksit amator. Boksieri kubanez, i cili garonte në kategorinë e peshave të rënda, fitoi tri medalje të arta olimpike radhazi: në Barcelonë më 1992, në Atlanta më 1996 dhe në Sydney më 2000. Një arritje të tillë e kanë realizuar vetëm dy boksierë të tjerë: Teofilo Stevenson dhe Laszlo Papp.
Përveç tri medaljeve të arta olimpike, Savon fitoi edhe gjashtë tituj botërorë, katër medalje të arta në Kupën e Botës, tri në Lojërat Panamerikane dhe katër në Lojërat e Amerikës Qendrore dhe Karaibeve.
Ai nuk u bë kurrë boksier profesionist dhe thuhet se refuzoi oferta milionëshe për t’u përballur me Mike Tysonin, pasi boksi profesionist ishte i ndaluar në Kubë.
Megjithatë, emri i Savonit është lidhur edhe me akuza serioze gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2018, gazetari i pavarur kubanez Abraham Jimenez Enoa raportoi në revistën Gatopardo se Savon ishte ndaluar nga autoritetet, nën dyshimin për abuzim seksual ndaj një të mituri, pasi familja e një fëmije 12-vjeçar kishte ngritur një denoncim kundër tij.
Autoritetet kubane nuk kanë publikuar asnjëherë zyrtarisht detaje lidhur me akuzën, procesin gjyqësor apo ndonjë vendim të mundshëm të gjykatës.
