Në javën e fundit të kampionatit saudit, Cristiano Ronaldo ishte edhe një herë protagonisti absolut në fitoren e Al Nassr ndaj Al Shabab me rezultatin 4 me 2 në transfertë.

Sulmuesi portugez jo vetëm kontribuoi në suksesin e skuadrës së tij, por hyri edhe në historinë e kampionatit saudit duke realizuar golin e 100-të në këtë kompeticion.

Takimi nisi në mënyrë perfekte për Al Nassr. João Félix zhbllokoi rezultatin që në minutën e tretë dhe më pas dyfishoi shifrat në minutën e dhjetë.

Reklamë

Vendasit reaguan në minutën e 30-të me golin e Yannick Carrasco, që rihapi përkohësisht sfidën.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 75-të. Pas një aksioni të nisur nga Sadio Mané, Ronaldo kontrolloi topin në zonë dhe me një goditje spektakolare me të majtën dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur fitoren e Al Nassr.

Ky ishte goli i 26-të sezonal për yllin portugez dhe i 100-ti në total në kampionatin saudit, një arritje e jashtëzakonshme e realizuar në më pak se katër sezone nga transferimi i tij në Arabinë Saudite në fund të vitit 2022.

Falë kësaj fitoreje, Al Nassr ngjitet në kuotën e 82 pikëve dhe vazhdon garën për titullin kampion.

Ndërkohë, gjatë ndeshjes nuk munguan as momentet pikante. Një pjesë e tifozëve nisën të thërrasin emrin e rivalit historik të Ronaldos, Lionel Messi, në përpjekje për ta provokuar.

Reklamë

Portugezi reagoi me ironi ndaj tribunës, duke buzëqeshur dhe duke iu përgjigjur koreve të tifozëve, në një episod që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.