×
  • Sport
  • Sport

    Shaqiri: Do ta shikoj veten edhe një herë duke e mposhtur Messin e Barcelonën

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 15:35

    Xherdan Shaqiri është shprehur shumë krenar me Liverpoolin, pas suksesit të arritur dje në përballjen me Barcelonën, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku Shaqiri luajti që nga minuta e parë e ndeshjes.


    Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”, transmeton Gazeta Express.

    Xherdan Shaqiri kishte qenë pjesë e formacionit të parë të Liverpoolit, që mbrëmë kërkoi ta bëjë mrekullinë kundër Barcelonës. Përveç që katalonasit e kishin epërsinë prej tri golave, Liverpoolit i mungonin edhe dy nga lojtarët më të mirë të skuadrës, Mohamed Salah dhe Roberto Firmino.

    Edhe pse 27-vjeçari e kishte përjetuar ndjenjën e arritjes në finale të garës më prestigjioze të Evropës edhe një herë tjetër, sa ishte lojtar i Bayern Munichut, ai u shpreh po aq i ngazëllyer edhe për këtë herë.

    “Është e vështirë ta përshkruash me fjalë. Është e mrekullueshme. Jam i tronditur. Kemi arritur diçka të paimagjinueshme. Mendoj se do të më duhet ta shikoj edhe një herë në shtëpi këtë ndeshje, sepse kam qenë dhe jam plot adrenalinë. Jam shumë krenar me këtë skuadër”, ka thënë Shaqiri.

    “Ne kemi luajtur shumë mirë gjatë gjithë sezonit, veçanërisht lojtarët që ju i përmendët [Salah, Firmino]. Kushdo që futet në lojë e jep maksimumin e vet. Nuk ishte e lehtë për ne. Ne [Shaqiri dhe Divock Origi] nuk luajtëm shumë këtë sezon, por e pritëm rastin dhe na erdhi. Mua më duket se e kemi shfrytëzuar mirë. Kemi arritur diçka të mrekullueshme”.

    Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

    Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

    Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!