Kombëtarja shqiptare U-17 e ka mbyllur me një humbje 1-3 ndaj Finlandës raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17. Pavarësisht rezultatit në ndeshjen e fundit, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama kanë arritur të sigurojnë vendin e dytë në Grupin 4, duke kaluar në raundin e dytë kualifikues në Ligën A.

Shqipëria e nisi mirë takimin dhe kaloi e para në avantazh me Haxhi Rrenën, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 17-të. Finlanda reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të përmbyste rezultatin brenda pak minutash. Launiala barazoi në minutën e 61-të nga pika e bardhë e penalltisë dhe vetëm tri minuta më vonë realizoi golin e dytë për skuadrën e tij. Në minutën e 97, Aho shënoi edhe golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-1 të Finlandës.

Në përfundim të tri ndeshjeve të këtij mini-turneu, Shqipëria U-17 renditet në vendin e dytë të Grupit 4 me 4 pikë, pas Finlandës që e mbylli me pikë të plota, 9. Skocia u rendit në vendin e tretë me 3 pikë, ndërsa Suedia në vendin e fundit me 1 pikë.

Reklamë

Përfundimi në dy vendet e para të grupit i siguron Shqipërisë kalimin në raundin e dytë kualifikues në Ligën A, ku kuqezinjtë do të vazhdojnë garën në muajin mars 2027. Në këtë fazë do të marrin pjesë 28 kombëtare, 14 fitueset dhe 14 skuadrat e renditura në vendin e dytë në raundin e parë.

Raundi i dytë do të përcaktojë shtatë kombëtaret që do t’i bashkohen Letonisë, vendit organizator, në fazën finale të Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohet nga 24 maji deri më 6 qershor 2027.

Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit, Kombëtarja U-17 arrin objektivin e kalimit në Ligën A dhe do të vijojë në mars rrugëtimin drejt fazës finale të Europianit.