Spanja pranon Kosovën, e lejon të marrë pjesë me simbole shtetërore në Europian

E përditshmja spanjolle, Sport, e ka publikuar një artikull për Kampionatin Evropian të Karatesë, në të cilin po marrin pjesë dhjetë kosovarë. Sipas Sport, qeveria spanjolle ishte detyruar nga Komiteti Olimipik Ndërkombëtar ta lejojë Kosovën të marrë pjesë me simbole shtetërore.


Kombëtarja e Kosovës në karate udhëtoi sot drejt Spanjës, ku prej 28 – 31 mars do të mbahet Kampionati i 54-të Evropian për seniorë, në qytetin e Guadalajaras së Spanjës.

Vlerona Shala (kata), Albulena Gërvalla (-55 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Argjend Berjani (kata), Orges Arifi (-60 kg), Ylli Cenaj (-67 kg), Elhami Shabani (-75 kg), Alvin Karaqi (-84 kg), Herolind Nishevci (+84 kg), do të kërkojnë medalje, ndërsa në kumite Kosova përfaqësohet me: Nishevcin, Arifin, Cenajn, Karaqin, Shabanin, si dhe Blodin Pakashticën.

Përkundër problemeve që më parë ia kishte shkaktuar Kosovës, Federata Spanjolle e Karatesë ka bërë të ditur se Kosova do të garojë si e barabartë me të gjitha kombëtaret e tjera që marrin pjesë në Evropian.

Kosova nuk ishte lejuar të marrë pjesë, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Spanja, në Botërorin e Karatesë në nëntorin e kaluar, që u mbajt në Madrid. Pas kësaj, Komiteti Olimpik i Karatesë e kishte kërcënuar Spanjën se nuk do të ketë mundësi të organizojë gara të tjera nëse nuk e lejon Kosovën të marrë pjesë me simbole shtetërore.

Sipas Sport, për këtë arsye, qeveria spanjolle u detyra ta zgjidhë këtë problem dhe së bashku me presindetin gjerman të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, arritën marrëveshje për ta lejuar Kosovën të garojë me simbole shtetërore.