Ka nisur me ritëm dhe tension përballja mes Anglisë dhe Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Që në minutat e para, dueli ka prodhuar përplasje mes lojtarëve. Në minutën e 3-të, një ndërhyrje e Enzo Fernandez ndaj Andersson shkaktoi reagime në fushë, ndërsa Jude Bellingham dhe Leandro Paredes u përfshinë në një debat në distancë.
Anglia ka qenë më kërkuese në minutat e para, duke ushtruar presion të lartë ndaj Argjentinës, e cila e ka pasur të vështirë të dalë nga gjysmëfusha e saj.
Në minutën e 9-të, “Tre Luanët” vazhduan presionin, ndërsa tre minuta më vonë pati sërish tension, me të dy stafet teknike që kërkuan faull pranë zonës së Argjentinës.
Anglia pati një mundësi të mirë në minutën e 14-të, kur Gordon kaloi disa kundërshtarë dhe u përgatit për goditje, por mbrojtja argjentinase reagoi në momentin e fundit.
Një minutë më pas, Argjentina tentoi të rrezikojë përmes një kundërsulmi të shpejtë, por krosimi i Julian Alvarez në zonë nuk gjeti asnjë nga bashkëlojtarët e tij.
Sfida në Atlanta do të përcaktojë finalistin e dytë të Kupës së Botës, ku fituesi do të përballet me Spanjën në finale.