Në vitet e fundit, si Real Madrid ashtu edhe Kombëtarja e Spanjës janë mbështetur shumë tek Dani Carvajal, duke e konsideruar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të tyre. Kontributi i tij në fushë, por edhe cilësitë e tij si kapiten, e kanë bërë një figurë të pazëvendësueshme.

Megjithatë, aktualisht e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Kombëtarja spanjolle e ka inkurajuar, duke i lënë të kuptojë se ende ka mundësi për të qenë pjesë e listës për Botërorin 2026, por me kushtin që të rikthehet në ritëm të rregullt, ndërsa situata në klub bëhet gjithnjë e më delikate.

Real Madrid ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për vazhdimin e kontratës, e cila skadon më 30 qershor. Trajneri Arbeloa ka preferuar më shumë konkurrencën në krahun e djathtë, duke i dhënë minuta të kufizuara mbrojtësit.

Reklamë

Kjo ka krijuar tensione dhe një marrëdhënie jo të lehtë mes tyre, ndërsa raportet mediatike flasin për mungesë harmonie që nga fillimi i punës së trajnerit të ri.

Në aspektin teknik, balanca e minutave ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me pjesën e parë të sezonit, duke e vendosur Carvajal më shpesh në pankinë sesa në formacionin titullar, madje pa u aktivizuar edhe në ndeshjet vendimtare të Champions League kundër Bayern Munich.

Pavarësisht kësaj, mbrojtësi 34-vjeçar mbetet i vendosur të luftojë deri në fund për një vend në Botëror dhe për të bindur klubin për një rinovim të mundshëm edhe për një sezon tjetër.