Klubi spanjoll Athletic Bilbao ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Edin Terziq për të marrë drejtimin e skuadrës për dy sezonet e ardhshme.
Ish-tekniku i Borussia Dortmundit do të zëvendësojë Ernesto Valverden, i cili do të largohet nga detyra pas përfundimit të sezonit aktual.
Sipas njoftimit të klubit bask, kontrata e trajnerit gjerman do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2028.
Prezantimi i tij zyrtar do të bëhet sapo të mbyllen katër ndeshjet e mbetura të sezonit në La Liga.
Terziq transferohet në Spanjë me një karrierë të suksesshme te Dortmundi, ku fitoi Kupën e Gjermanisë në vitin 2021 dhe u shpall nënkampion i Bundesligës në sezonin 2022/23.
Gjithashtu, ai udhëhoqi ekipin gjerman deri në finalen e Ligës së Kampionëve në edicionin 2023/24, ku u mposhtën nga Real Madridi.