Një nga figurat më të mëdha të futbollit francez dhe atij evropian është nderuar me një çmim prestigjioz.

Thierry Henry është shpallur fitues i UEFA President’s Award 2026, çmim që vlerëson arritjet e jashtëzakonshme dhe kontributin në futboll, brenda dhe jashtë fushës.

Henry konsiderohet një prej sulmuesve më të kompletuar të gjeneratës së tij. Me Arsenal FC ai u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit dhe ishte një prej figurave kryesore të ekipit të famshëm “Invincibles”.

Reklamë

Ai gjithashtu fitoi Champions League me Barcelonën, ndërsa me Francën triumfoi në Kupën e Botës 1998 dhe Euro 2000.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, e vlerësoi Henryn jo vetëm për sukseset sportive, por edhe për qëndrimin e tij kundër racizmit, diskriminimit dhe për angazhimin në çështje të shëndetit mendor dhe kauzave humanitare.

Çmimi presidencial i UEFA-s jepet që nga viti 1998 për personalitete që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe që kanë treguar cilësi të veçanta si në sport, ashtu edhe jashtë tij.