Lojtari i njohur amerikan i golfit, Tiger Woods, është vënë nën akuzë për drejtim mjeti nën ndikim, pas një aksidenti të ndodhur në shtetin e Floridës.

Siç shkruan BBC, ndaj tij rëndojnë edhe akuza për dëmtim prone dhe refuzim për t’iu nënshtruar një testi ligjor.

Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Martin, 50-vjeçari humbi kontrollin e automjetit tip Land Rover, pasi tentoi të parakalonte një mjet të pastrimit rrugor, i cili u përmbys. Fatmirësisht nga aksidenti nuk pati persona të lënduar.

Reklamë


Pas aksidentit, Woods iu nënshtrua testit të alkoolit në frymëmarrje, i cili rezultoi negativ. Megjithatë, ai refuzoi të kryejë analizën e urinës, çka përbën shkelje dhe ka sjellë edhe ngritjen e akuzës përkatëse ndaj tij.

Autoritetet deklaruan se lojtari i golfit shfaqi shenja të dëmtimit të aftësive gjatë kontrollit në vendngjarje, por nuk kishte prova që kishte konsumuar alkool. Ai u arrestua dhe u dërgua në paraburgim për disa orë, përpara se të lirohej me kusht.

Kjo nuk është hera e parë që Tiger Woods përfshihet në incidente të ngjashme. Ai ka pasur probleme të mëparshme me drejtimin e automjetit, përfshirë një rast në vitin 2017, si dhe një aksident të rëndë në vitin 2021 që i rrezikoi jetën dhe ndikoi në karrierën e tij sportive.

Ngjarja vjen në një moment kur Woods po përpiqej të rikthehej në aktivitet, pas një serie dëmtimesh fizike dhe ndërhyrjesh kirurgjikale, duke lënë të paqartë vazhdimin e planeve të tij në golfin profesionist.