Trepça ka vazhduar dominimin në elitën e basketbollit të Kosovës, duke u shpallur kampione për të tretin vit radhazi. Skuadra mitrovicase e siguroi titullin të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku mposhti Bashkimin me rezultat bindës 98:78 në finalen e katërt të “play-off”-it.

Me këtë fitore, Trepça e mbylli serinë finale me rezultat të pastër 4:0, duke mos i dhënë asnjë mundësi skuadrës prizrenase për rikthim. Për “xehetarët” ky është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti rresht, duke e konfirmuar epërsinë e tyre në basketbollin kosovar.

Falë këtij triumfi, Trepça tashmë bëhet skuadra e dytë më e suksesshme në historinë e basketbollit të Kosovës, duke e kaluar Pejën, e cila ka gjashtë tituj. Në krye mbetet Sigal Prishtina me 14 tituj kampioni.
Trepça i ka fituar titujt kampion në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024, 2025 dhe 2026, ndërsa ky sukses e vendos klubin nga Mitrovica në një periudhë të artë të historisë së tij.

Reklamë

Bashkimi, në anën tjetër, mbetet me një titull kampioni, të fituar në vitin 2018. Skuadra prizrenase ishte finaliste edhe në edicionin e kaluar, por edhe atëherë u mposht nga Trepça.

Seria finale nisi në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku Trepça fitoi dy ndeshjet e para me rezultatet 84:79 dhe 93:83, në një atmosferë të jashtëzakonshme me mbi tre mijë shikues në tribuna. Ndeshja e tretë u zhvillua në “Sezai Surroi”, ku palestra ishte e mbushur plot dhe tifozët vendas krijuan atmosferë të zjarrtë, por kjo nuk i ndihmoi basketbollistët e Bashkimit, pasi Trepça triumfoi 84:80.